Një plagë që po na dhemb të gjithëve!
Po shkruaj me zemër të rënduar, për një fenomen të shumtuar që çdo ditë e më shumë po përdoret droga. Një “pluhur i mallkuar” që po hyn tinëz në jetën e të rinjve tanë, nëpër rrugë, shkolla e vende publike, duke u marrë atyre gjënë më të shtrenjtë që kanë: rininë dhe shpresën.
Pas më shumë se 42 vjetësh në arsim, kam parë shumë sfida të brezave, por asnjë nuk më ka tronditur sa kjo plagë që po shtrihet sot në çdo lagje, fshat e qytet. Djem e vajza që dje ëndërronin për të ardhmen, sot zbehen në hijen e varësisë, të mashtruar nga një “pluhur” që u premton qetësi, por u sjell shkatërrim.
Iluzioni i bardhë që po merr jetë, ky pluhur i bardhë, që disa e quajnë “kënaqësi momentale”, është një helm i pabesë. Në fillim të jep iluzion, një ndjesi të rreme lirie, por pastaj të lidh duart, të fik sytë, të shuan shpirtin. E kur trupi bie në gjumë të ftohtë, prindërit mbeten zgjuar në një makth që nuk shuhet kurrë. Nënat do të qajnë pas dyerve të mbyllura, e baballarët do të pyesin me dhimbje:”Ku gabova me ty, o bir?”. Kjo është një dramë që nuk i përket vetëm një familjeje, por gjithë shoqërisë sonë. Sepse kur humbet një i ri, humbet një dritë e popullit, kombit.
Një thirrje për prindërit dhe të rinjtë. Prindër, mos e lini fëmijën tuaj vetëm me rrjetet sociale, kafiteri e rrugë. Flisni me ta, dëgjojini, mbështetini. Mos u lodhni duke i paralajmëruar, çdo fjalë e juaja është një pengesë ndaj rrënimit.
Të rinj, mos e filloni atë rrugë të mallkuar, sepse ajo nuk të çon në liri, por në robëri shpirtërore dhe fizike. Nuk ka asnjë lavdi në varësi, asnjë trimëri në helm.
Rinia është forca, është energjia, është jeta. Mos e shuani si një qiri në erë. Ju jeni shpresa e prindërve, e popullit, kombit dhe e ardhmërisë sonë.
Larg këtij helmi të zi. Si punëtor i arsimit arsimtar që kam kaluar mbi 42 vite me nxënësit në bankat e shkollës, e ndjej për detyrë të them me zë të lartë: “ Qëndroni larg nga ky helm i zi.” Ky është një apel, një lutje dhe një betim për jetën.
Mos e zëvendësoni buzëqeshjen me trishtim, dritën me errësirë. Sepse jeta është shumë e bukur për ta lënë të shuhet nga një pluhur i mallkuar.
Prof. Etem Xheladini
Kumanovë, Tetor 2025

