Prof. Bexhet Asani, një “diamant” që rrezaton forcërisht “shqip” nga Amerika e largët
Vështrim refleksionar mbi librin “Zjarri Arbëror i pashuar” i prof. Bexhet Asani .
Nga Nexhmije Hasani
1.
Të ndodh një impakt ngazëllues, sapo merr në dorë këtë vepër dhe e shfleton për ta lexuar. Vë re, menjëherë, dashurinë dhe pasionin për ruajtjen e kulturës dhe traditës Arbëreshe.
Titulli i librit më kujtoi veprën “ Yjet e Pashuar “, kur, në ato vite, e lexonim me një frymë jetën, aktet e dëshmorëve të atdheut dhe zemra rrihte me të shpejtë nga dashuria dhe dhimbja për ta. Ne krenoheshim me ta dhe e njëjta ndjenje krenarie po më ndodh dhe tani, teksa më shfaqen heronjtë e letërsisë, artit, kulturës për ruajtjen e gjuhës Arbërore, traditës e më gjerë.
Ndaj, në këtë kontekst, mund të shpreh se Prof. Bexheti, si studiues profesionist kërkon ta ruajë dhe kultivojë me fanatizëm këtë traditë, duke i nxitur vëllezërit tanë, kudo në Botë, të vazhdojnë të ruajnë gjuhën dhe zakonet se, vetëm në këtë mënyrë, duke e trashëguar gjuhën tonë në breza, mbahet gjallë, në të kundërtën ndodh procesi i shuarjes, apo i asimimit të saj nga gjuhët e tjera.
2.
Një shtet pa gjuhën e tij është në kuptimin figurativ si një “peshk” i lënë pa ujë. Në të tillë rast, shteti mbaron, asfiksohet, atrofizohet dhe humb emrin e tij në hartën gjeografike.
Ne jemi sulmuar ndër shekuj nga shtetet fqinje, që kanë vepruar maksimalisht me dashakeqësi për të eliminuar gjuhën tonë, por nuk ia kanë dalë. U jemi përgjigjur dashakeqësive të tyre me sakrifica dhe sakrilegje për të ruajtur gjuhën tonë amtare.
“Të dashur motra dhe vëllezër, ju e keni ruajtur gjuhën e Skënderbeut, veshjet, zakonet, traditat, kulturën shpirtërore, folkloristikën, këngët dhe vallet për 550 vjet. Tani, e vetmja gjë që duhet të ruajmë me vetëdije e të mbrojmë është arbërishtja, është tendenca e hyrjes së gjuhës arbëreshe, si lendë obliguese në shkollë“. A nuk tingëllon kjo si një lutje para Perendisë? A nuk shohim një rilindas të kohës së sotme të spikatur në dashurinë dhe kujdesin e tij për ruajtjen e gjuhës?
Prof. Bexheti, kurrë, nuk ka hezituar t’i bëjë thirrje në formën e klithmës, qeverive shqiptare, që të veprojnë me seriozitet në këtë çështje. Ai vetë është një shqiptar i vërtetë, ku vitet e jetës së tij, ia dedikoi mësimdhënies për rritjen dhe formimin e brezave, për t’i pasuruar me dije dhe kulturë. Sa më shumë njerëz intelektualë e të suksesshëm të ketë një vend dhe sa më shumë punohet e pasurohet gjuha e atij vendi, aq më i fortë është shteti, ku ata jetojnë e kontribuojnë.
Unë do të sjell një refleksion timin për këtë libër me përmbajtje shumë interesante. Këndvështrimi im për këtë vepër do të jetë objektiv, pasi unë jam njohur dhe kam shkruar edhe më parë mendimet e mia për veprat e studiuesit Asani. Mendoj se, jam e zonja dhe e sigurt në vetvete për ta kuptuar dhe ndjerë mirë qëllimin e tij në këtë vepër.
Qëllimi i tij është gjuha, e shkruara dhe e folura, ruajtja e gjuhës, prandaj dhe konkludova se ky është libri i parë i projektuar në këtë mënyrë dhe kaq plotësisht për të realizuar synimet. Edhe pse interesimi i shqiptarëve dhe arbëresheve është i gatshëm për bashkëpunim e veprim reciprok, në përkushtimin e organizimeve shkencore për gjuhën si seminare, konferenca e simpoziume Ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë, kulturën, përsëri brezi i ri nuk e flet arbërishten dhe ky është dëm i madh i pallogaritshëm i parikuperueshëm, nëse nuk punohet me seriozitet për mos humbur gjuhën. Profesor Bexheti nuk punon për momentin. Ai është vizionar, projekton për të ardhmen, duke qëndruar me këmbë në tokë, por gjithmonë në kontakt me dimensionet kohore: e kaluara tashmja dhe e ardhmja. Bexheti është i bekuar me virtyte dhe cilësi të larta humane dhe intelektuale.
3.
Një nga synimet e tij madhore në këtë libër është pasqyrimi tipik e real i figurave të njerëzve të mëdhenj që kanë punuar e punojnë për gjuhën shqipe si studiuesi Aristidh Kolja, shkrimtari e studiuesi Dinos Koubatis, profesor Talo Elma – etnolog, regjisorja Luçia Martine e shumë e shumë të tjerë, në një “hartë” të madhe gjeografike, ku ka njerëz me prejardhje shqiptare.
Gjatë leximit të librit “ndjen” të ecësh në gjurmë të arbërishtes, duke përshkruar fshatra e zonat, qytetet e shtetet, ku jetojnë arbëreshët dhe shqiptarët e emigruar.
Mbijetojat e gjuhës arbërore (arvanitase) i gjejmë të shtrira në të gjitha zonat e Greqisë, arbëreshen në jug të Italisë, ku flitet akoma, pavarësisht se në ato zona rinia ka kohë që ka emigruar dhe kanë ngelur vetëm moshat madhore dhe kjo gjendje lë për të dëshiruar. Po kështu, në qytetin e Zarës në Kroaci, në fshatin Madricë në Bullgari, në fshatin Karakurt në Ukrainë etj. Ky libër, përveç informacioneve, është i pasuruar me një “minifjalor” të gjuhës arbëreshe, me tekste këngësh e poezish të vjetra arbëreshe.
Kënga arbëreshe vjen nga thellësia e Tokës, prandaj dhe përcjell dashuri të madhe për ta gjetur e studiuar sa më shumë atë. Gëzimi i prof. Bexheti, kur në duar pati librin “Qefti dhe folmja e tij“, ishte emocionuese. “Një ndjenjë rrënqethëse që më përshkoi trupin dhe shpirtin, – shprehet ai. – Ishte një dhuratë e çmuar dhe vepër për shkencat albanologjike”. Prof. Mario në monografinë e tij “Chieuti e la parlata arbereshi“ ka përdorur edhe materialin shkencor bibliografik, që, në këto raste, është mëse i domosdoshëm.
Në atë libër janë të përfshira kostumet popullore, traditat e Qeftit. Në histori janë përfshirë, gjithashtu, ritet bizantine, ritet e pagëzimit, të cilat ilustrohen edhe me fotografi.
4.
Arbëreshët, gjatë 550 vitesh, e kanë ruajtur me fanatizëm gjuhën e tyre. Është për t’u habitur, nëse krahason kohët gjatë atyre shekujve, Ata të izoluar në vetvete dhe nuk pranonin as krushqi të bënin me raca të huaja, edhe me vendasit, si arsye e vetme për të mos humbur gjuhën e zakonet, për të mos përzier gjakun dhe, në ato shekuj të izoluar nga sundimi turk, i cili kërkonte me insistim të madh të na vriste gjuhën, kulturën, traditën. Prof. Bexheti merr pamjen, me plot të drejtë, si një “arkeolog” i zbulimit të historisë arbërore. Ka punuar shumë për të mbledhur, sistemuar e seleksionuar informacionet nga të gjitha trevat shqipfolëse. Jo më kot e theksoj se, ky libër të krijon bindje të forta, ka produkt gjuhësor, si dhe, mbi të gjitha, vijushmërinë e treguar mbi ngjarje dhe fakte të dokumentuara shkencërisht. Me një kurajë dhe nismë pasionante, ka mbledhur ngazëllimin jetësor, terminologjinë letrare arbëreshe dhe përdorimin orgjinal të gjuhës, si një rit i përbashkët me traditën, kostumografinë dhe gjithë bukuritë e këtyre vendeve.
“ Gjaku ynë i prishur “ është libër nga Mbuzati. San Giergo është fshat në provincën e Kozencës së Kalabrisë. Ai na tregon se, në këtë fshat ka libra që flasin për historinë, folklorin dhe etnografinë e katundit, të cilat janë punuar me përgjegjësi shkencore. Të gjitha informacionet i gjen lexuesi në këtë vepër dimensionale, sepse prof. Bexheti ka ndjekur këtë rrugë njohurish, që në rininë e tij e më tutje në katedrat universitare.
Duket sikur dëshira dhe pasioni e kanë ndjekur hap pas hapi, gjatë të gjithë rrugëtimit të tij jetësor e shkencor.
Në libër është një fotografi origjinale, mes shume e shumë të tjerash e zotit Bexhet me Atë Antonio Belushin, studiuesin e njohur arbëresh, në avjon. Një rastësi e bukur i takon ata dhe i bashkon me një grup të rinjsh arbëreshë, të cilët udhëtonin drejt Prishtinës për të qenë prezentë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Në gjakun e tyre vëlon dashuria ndaj gjuhës e traditës shqipe.
Antonio Belushi etnolog, diplomuar për filozofi e teologji; Konstandin Bellushi, studiues i letërsisë italiane si dhe mësues i gjuhës shqipe për shkollat e ulëta. Gjithashtu, master të mbrojtur për gjuhën arbëreshe; Prof. Xhuzepe Skiro Di Maxhio, udhëheqës i katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në universitetin e Palermos; Prof. Zef Kjaramonte e shumë e shumë të tjerë, të cilët ju do t’i njihni me detaje në këtë libër me informacione dhe biografi të plota, duke plotësuar kështu njohuritë Tuaja për këta studiuesë të përkushtuar të etapës së sotme të kulturës dhe traditës arbëreshe.
5.
Mikripritja Arbëreshe
S’e di pse më tërhoqi vëmendjen dhe u ndala gjatë në këtë pjesë të librit, te ky shkrim personal i jetuar nga prof. Bexhet Asani. U mallëngjeva! Unë e njoh bashkëshorten e profesorit. Afërdita e ka ajo emrin dhe “afërditë” është realisht.
M’u kujtua Struga, vajtja ime për herë të parë në Strugën e bukur. Takimi me bashkëshortët Asani, me këtë familje të mrekullueshme. Rrallë gjen njerez si ata, në këtë jetë. Jo vetëm kultura e lartë, e cila i karakterizon, por miresia, ky virtyt i bukur, thjeshtësia, dashuria, cilësi këto që të bëjnë të ndjehesh si në shtëpinë tënde dhe, kur largohesh prej andej, të mbetet koka mbrapa për një rikthim të dytë. Ja, pra, për këtë lloj mikpritje tregon i nderuari Bexhet, i ftuar, së bashku me zonjën e tij, nga zonja arbëreshe Elena Busciacco, e cila jeton në Pensilvania, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sjell me plot emocion përshkrimin e atij takimi. Bexheti e përkufizon vajtjen në shtëpi të saj me një frazë të vetme, shumë të gjetur: “ Shtëpia e shqiptarit, e mikut dhe shtegtarit “ , pavarësisht se sot, pothuajse, ka humbur ky adet. Mikpritja shqiptare ka qenë e shenjtë. Pra, dhe mikpritja shqiptaro – arbërore ështe e “kodifikuar” në ligjet jetësore, në kanunin e Lek Dugagjinit dhe në rregullat e ligjet e Skënderbeut. “Elena, me një buzëqeshje tipike arbërore, – kështu shprehet profesori, në libër për të, – na priti me frazen e bukur tradicionale: “ Mirë se vini, motra dhe vëllau im! “. Na mori të dyve për gryke, na përqafoj fort. Ndjenjë drithëruese më përshkoi shtatin. Një takim me gjakun tonë, pas 550 vitesh”.
Vëreni, pra, çfarë përshkrimi magjik i një periudhe kaq të gjatë, ruajtur dhe demonstruar tani, në këtë kohë, në këtë shekull.
Çfarë metaforash, fjalëplot ndjenja në atë takim të shumëpritur. Urimet dhe përshëndetjet, si në kohë të Skënderbeut.
“ Të përmallshëm 550 vje, bëmë një oqean me muhabet“.
Ajo familje fliste gjuhën e nënës mrekullisht bukur edhe pse jetonin prej tridhjetë e gjashtë vitesh në Amerikë dhe mundësia kishte qenë, pothuajse fare për ta folur arbërishten.
Nuk mund të shpëtonte ky detaj, pa u vënë re nga zoti Bexhet, ashtu si dhe flamuri shqiptar i stolisur në krye të shtëpisë.
Njeriu i mençur ka thënë: “ Një mendje e shëndoshë vjen nga stomaku“, prandaj, me një mendje të bukur ai shprehet: ” Ushqimet që kishte përgatitur Elena, dukej sikur vinin nga thellësia e shekujve, nga Moti i Madh”.
Kush mund të shprehet më bukur se kaq, se një njeri që dashuron kaq shumë gjuhën e tij, atdheun e gjithçka, që, Perëndia i ka dhuruar të gjithë Arbërisë, të gjithë tokës iliriane, kësaj pasurie të patundëshme, të pakrahasueshme.
6.
Në këtë libër do të gjeni poezi arbëreshe, biografi të ndryshme, ngjarje, takime, gjurmë, fotografi dhe vepra të studiuesve të veçantë të profilizuar. Të gjitha këto, me synimin e vetëm: shpalosje e veprimtarisë së madhe studiuese, analitike, shkencore në favor të ruajtjes së traditës së gjuhës arbëreshe.
Ja, si shprehet Francesso Rido për çështjen arbëreshe:”Asilimi është problemi më i madh për ne arbëreshët. Unë dhe gjenerata ime, të cilët kemi ruajtur gluhën arbëreshe për 550 vjet , nuk e kemi të lehtë ta përcjellim atë në brezin e ri, kjo për arsye se nuk bëhen më martesa brenda njëri – tjetrit. Nuk mbahet tradita dhe emigracioni një faktor tjetër vrasës për gluhën e zakonet”.
*
A mos vallë vetëm kaq ishte ky udhëtim në formën e një ditari, nëpër këtë copëz të bukur parajsore, Arbërinë? Ai është i pranishëm kudo, me gjithë vitalitetin e tij të fuqishëm e këmbëngulës, duke e trajtuar me shumë inteligjencë këtë projekt të madh, i cili është botimi i parë që vjen në këtë mënyrë e përmasë për lexuesin dhe, sigurisht, po i veçantë për historinë dhe letërsinë shqiptare, duke u pajisur me fakte dhe informacion të ri. Do të jetë një vlerë e shtuar në fondin e librit shqiptar me këtë objekt.
Si rrjedhojë, unë nxora një përfundim vetjak:
E pashë dhe e ndjeva prof. Bexhetin si një shtegtar në udhën e tij shkencor, në kërkim të diamantit. Udhëtoi gjatë, deri sa e gjeti, ashtu, si Jezusi, që mblodhi dishepujt e tij, ashtu dhe profesori i mblodhi këto informacione me vlerë. Iu desh të sakrifikojë kohën e tij, duke hedhur pas krahëve dëshirat joshëse që sjell jeta dhe iu përkushtua gjetjes së këtij “diamanti” që rrezaton forcërisht “shqip” .
E mblodhi copëzash në të gjithë botën dhe formoi një gur të vogël diamanti,në dukje, po me vlerë të madhe.
Unë kam pasur nderin të marr pjesë dhe më parë në analitika të veprave të Bexhet Asani, madje, kam referuar për veprën e tij
“ Studime letrare“.
Prof. Bexhetin e kam konsideruar si Njeriu i Paqes, për atë çka jep, për atë çka afron dhe për atë çka vepron.
A duhet medalje vlerësimi nga komunitetet e ashtëquajtura paqësore?
Jo! Njerëz të tillë, si Bexhet Asani, nuk duan lavdërime.
Sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe miku ynë strugan, anëtari i LNPSHA “Pegasi” Albania, reflekton vetëm mirësi dhe humanizëm. Fjala e tij e zgjedhur me profesionalizëm, bën ta respektosh këtë njeri. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mbill sot që të korrësh nesër”.
Faleminderit, prof. Bexhet Asani, që më dhatë mundësinë për ta lexuar këtë vepër, përpara se të shkojë në botim, e cila u shndërrua në një dritare e hapur për mua, ku mund të shoh një qiell plot me yje.
Janë yjet që ndrisin gjuhën tonë./Hejza