Promovohet libri “Fjalë për ty” i autorit Valon Nuhiu

Me datë 22.11.2022, në një atmosferë festive në qytetin e Kumanovës u mbajt manifestimi i javës së Nëntorit nën motën “Nëntori i Vizioneve” për nder të “Ditës së Alfabetit” si dhe u bë promovimi i librit me titull “Fjalë për ty” nga autori i ri dhe anëtar i rregullt i shoqates Vizioni M Kumanovë, Valon Nuhija.
Pjesa e parë e panelit iu dedikua historisë dhe 22 nëntorit si një datë historike e kombit shqiptar. Me këtë rast, prof. Dr. Minir Ademi foli rreth rëndësisë së 22 nëntorit si dhe arsimimit te shqiptarët në përgjithësi e sidomos te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në veçanti në atë periudhë të ndritshme të historisë tonë. Hoxha Rexhep efendi Bekteshi foli rreth ndikimit të hoxhallarëve në unifikimin e shqiptarëve rreth alfabetit shqiptarë. Ai përmendi edhe zgjidhjet kreative nga ana e Hoxhë Hasan Tahsinit dhe personaliteteve tjera fetare për alfabetin shqiptar. Në përgjithësi foli për unifikimin e shqiptarëve si në aspektin kombëtar ashtu edhe në atë fetar.
Në pjesën e dytë të panelit që u pasua me promovimin e librit “Fjalë për ty”, nga moderatori i mbrëmjes Ekrem Halimi u prezantuan dy promotorët e librit, arsimtari Ismail Bilalli dhe publicisti Hamdi Nuhiju. Bilalli shpalosi para të pranishmëve lidhshmërinë e tij emocionale me autorin e librit, duke përmendur fillesat e tij në shkrimin e poezive. Nuhiju theksoi rëndësinë e librit, foli për rëndësinë e datës 22 nëntor si dhe shpalosi disa pjesë nga libri i Valon Nuhijut.
Manifestimi që ishte i organizuar nga Vizioni M Kumanovë – Likovë ishte i pasuruar me recitime të ndryshme poetike si dhe u mbyll me një koktej dhe shpërndarjen dhe nënshkrimin e librave nga ana e autorit Valon Nuhija.