Me rastin e 40-vjetorit të krijimit të Zonës Shengen, Bashkimi Evropian, përmes programit “Zbulo BE-në”, u ofron një mundësi të veçantë 40.000 të rinjve për të eksploruar Evropën, njoftoi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen.
“BE ofron 40.000 bileta falas për të rinjtë e lindur midis 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2007, dhe procesi i aplikimit është shumë i thjeshtë. Ata duhet vetëm të plotësojnë një kuiz të shkurtër online në Portalin Rinor Evropian”, tha Itkonen.
Ajo informoi se faqja e internetit për aplikim në konkurs është hapur sot në mesditë dhe të rinjtë 18-vjeçarë të interesuar do të mund të aplikojnë deri në orën 12:00 të datës 13 nëntor 2025.
Të drejtë pjesëmarrjeje në konkurs kanë të rinjtë nga vendet anëtare të BE-së dhe nga shtetet që janë pjesë e programit Erasmus+, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Kandidatët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të udhëtojnë falas për një periudhë deri në 30 ditë, midis 1 marsit 2026 dhe 31 majit 2027, dhe do të marrin një kartë zbritjeje për transport publik, aktivitete kulturore, akomodim, ushqim, sporte dhe shërbime të tjera në 36 vende evropiane,” theksoi Itkonen.
Sipas saj, fituesit e këtyre biletave falas do të mund të planifikojnë vetë itinerarin e tyre të udhëtimit ose të bashkohen me ndonjë nga rrugët e organizuara evropiane, si ajo e programit “Bauhaus”, që përfshin vizita në “qytete të bukura, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, apo ajo që kalon nëpër qytetet fituese të çmimit “Kryeqyteti i Gjelbër Evropian”.
Fituesve të biletave që kanë aftësi të kufizuara ose probleme shëndetësore do t’u mundësohet të udhëtojnë të shoqëruar nga persona të tjerë.
Që nga themelimi i këtij programi në vitin 2018, Bashkimi Evropian ka siguruar gjithsej 391.000 bileta udhëtimi, të cilat u kanë mundësuar të rinjve nga e gjithë Evropa të eksplorojnë kontinentin, të njohin më mirë kulturat e tjera dhe historinë evropiane, si dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre gjuhësore.

