Kosovë

“Forbes” publikon listën e personave që paguan për ish-presidentin Trump, mes tyre Behgjet Pacolli

Fushatat për tre kandidatë për sekretarë të shtetit amerikan që mohuan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 shpenzuan 81,000 dollarë në pronat në pronësi të Donald Trump, sipas një raporti të publikuar të martën nga mbikëqyrësi qeveritar “Issue One”.

Të tre këta kandidatë të miratuar nga Trumpi humbën, duke i penguar ata të jenë në gjendje të votojnë për kandidaturën e Trumpit në 2024.

Kështu shkruan “Forbes” ku ka bërë një përmbledhje të shpenzimeve të “konsumatorëve” të Donald Trumpit.

Por, në këtë listë figuron edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ndonëse nuk përmendet ndonjë shifër që i njëjti ka paguar në drejtim të pronave në pronësi të Trumpit.

“Behgjet Pacolli, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili më parë ka shërbyer si president, ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër i parë i vendit, ka biseduar me Trumpin në Mar-a-Lago, sipas një fotografie të postuar Pacolli në nëntor (2022). Pacolli është gjithashtu president dhe CEO i Mabetex Project Engineering, një firmë ndërtimi me bazë në Zvicër”, shkruan “Forbes”, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se Pacolli kishte marrë pjesë në dasmën e vajzës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, Tiffany Trump, në Mar-a-Lago më 13 nëntor të vitit të kaluar.

Nga AKR-ja kanë thënë për Klanin se Pacolli në këtë rast ka qenë në vizitë, e jo si klient. /Klankosova.tv