Thirrjeve të qeverisë dhe Bordit Drejtues për të emëruar drejtor në Higjienën Komunale, pasi Sabahudin Rustemi përfundoi në paraburgim, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska iu përgjigj pozitivisht edhe pse fillimisht rezistoi me arsyetimin se emërimin duhet ta bëjë Bordi i ndërmarrjes. (FOTO: Aleksandar Jovanovski, te folderi Suad) Arsovska, në krye të Higjienës ka vendosur Aleksandar Jovanovskin, i cili do të jetë drejtori i pestë në mandatin e saj katërvjeçar që përfundon për disa ditë. Në njoftimin e Qytetit të Shkupit, Jovanovski vjen në këtë pozitë nga pozita e inspektorit.

“Me arsimin e tij, përvojën profesionale dhe angazhimin në sektorin publik dhe privat, Jovanovski do të kontribuojë në Higjienën Komunale të Shkupit për avancimin e standardeve të ndërmarrjes publike, modernizimin e sistemeve për menaxhim me mbeturina dhe mbajtjen e mjedisit jetësor të pastër, të shëndetshëm dhe ekologjik në Qytetin e Shkupit”, thonw nga Qyteti i Shkupit.

Pak para se të Arsovska të emëroj drejtorin e ri të Higjienës Komunale, kryeministri Hristijan Mickoski, paralajmëroi atë që nëse krijon ngërç, do të mbajë përgjegjësi.

“Veprimet që disa individë, përfshirë edhe kryetarja e Qytetit që i bën, kanë vlerë të përhershme dhe për të gjitha ato veprime ka përgjegjësi. Nëse dikush mendon se do të bëjë diçka duke kaluar pa e parë, mendoj se gënjehet”, kishte thënë Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Thirrje për emërimin e drejtorit pati edhe nga Bordi Drejtues, të cilët alarmuan se Higjienës Komunale po i mbarojnë rezervat e naftës.

“Nga fundi janë rezervat me naftë për automjetet speciale komunale, të cilat përdoren për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave komunale, që nuk mund të furnizohet pa nënshkrim të u.d. drejtorit. Nëse në periudhë sa më të shkurtër nuk emërohet u.d. drejtor i NP Higjienës Komunale Shkup, përgjegjësia për gjendjen alarmante me mirëmbajtjen e higjienës në Qytetin e Shkupit është e juaja”, u shpreh Bordi Drejtues i Higjienës Komunale.

Paraardhësi i Jovanovskit, Sabahudin Rustemi së bashku me udhëheqësin për menaxhim me mbeturinat, Haki Saiti përfunduan në paraburgim 30-ditor pasi sipas Prokurorisë dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim me Mbeturina dhe Planit Operativ për Mirëmbajtjen e Qytetit, pasi nuk kanë pastruar me rregull mbeturinat. Sipas organit të akuzës, ata kanë mundësuar të krijohen deponi të vogla në hapësira publike të Shkupit, me çka kanë dëmtuar ndjeshëm cilësinë e tokës, ajrit dhe ujit dhe e kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njerëzve nga sëmundjet infektuese dhe të tjera. Hetimi i Prokurorisë vjen pas një periudhe disamujore që Qyteti i Shkupit përballet me problemin e mbeturinave./ Alsat.mk

sqShqip