Serwer i reagon Bërnabiqit: Askush nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët dhe të rrezikojë sigurinë publike
Eksperti amerikan i sigurisë, Daniel Serwer duke aluduar në barrikadat në veri të vendit ka thënë se askush nuk dyshon në të drejtën e serbëve për të protestuar porse siç ka thënë ai, askush nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojë policinë dhe të rrezikojë sigurinë publike.
Serwer ka reaguar pas deklaratave të kryeministres serbe Ana Bërnabiq në lidhje me barrikadat dhe tensionet në veri të Kosovës.
“Askush nuk dyshon në të drejtën e serbëve në Kosovë për të protestuar në mënyrë paqësore, por nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojë policinë dhe të rrezikojë sigurinë publike. Dhe nuk ka të drejtë si kryeministër i Serbisë të përdorë njerëzit në listën e pagave të shtetit tuaj për të destabilizuar një shtet fqinj”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndërsa kryeministrja e Serbisë kishte reaguar ndaj deklaratës së diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger, i cili kishte thënë se është i shqetësuar me tensionet dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë rol vendimtar dhe urgjent, ndërkohë që ka pyetur në postim në Twitter nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj si Kosova do të bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE.
E Bërnabiq kishte treguar “arsyet” pse serbët në veri po qëndrojnë në barrikada.
“I dashur @ischinger, a e dini pse serbët po protestojnë? Lutjet e tyre: 1) Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit (nënshkruar në 2013!); 2) sundimi bazë i ligjit (të mos arrestohen sipas dëshirës dhe të mbahen peng pa pasur as kontakt me familjet e tyre). Shumë për të kërkuar? Në kundërshtim me vlerat e BE-së?”, ka shkruar ajo.
Edhe Ischinger është kundërpërgjigjur. Sipas tij, nuk zgjidhen çështjet duke nxitur dhunë.
“Ka sigurisht kërkesa legjitime, nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull, është që të adresohen shqetësimet e tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe shqetësimit publik. Serbia e di saktësisht si të veprojë si fuqi e përgjegjshme! Krishtlindja do të thotë paqe!” – ka shkruar Ischinger në Twitter.