Maqedoni

Intervistë me Afrim Gashin: Kompromiset që kanë çmim anëtarësimin në NATO dhe BE janë të logjikshme

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, në një intervistë për revistën boshnjake “STAV”, i pyetur rreth kompromiseve të rënda të Republikës së Maqedonisë së Veriut për t`u bërë anëtare e NATO-s dhe për të nisur bisedimet me BE-në, ka thënë se kompromiset janë të vështira, por kur qëllimi është strategjik, janë të pranueshme.
Gashi ka komentuar edhe hapjen e perspektivës së vendit, si dhe ka theksuar se Maqedonia e Veriut në momentin e fundit e ka kapur trenin.
“Vlerësoj se Republika e Maqedonisë së Veriut me guxim dhe vendosmëri ka ecur në rrugën e saj. Secili kompromis nuk është i lehtë për t’u pranuar, por kur ndërtoni shtet, kompromiset janë të logjikshme. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e bisedimeve për në Bashkimin Evropian, Maqedonisë së Veriut ia ka rrumbullakuar rrugën e shtetësisë: tranzicioni ka përfunduar, janë hapur mundësitë dhe perspektivat për zhvillim në të gjitha sferat, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në infrastrukturë, arsim, shkencë, kulturë dhe në të gjitha planet e tjera zhvillimore. Nëse tashmë në aspektin e sigurisë, me anëtarësimin në NATO, e kemi arritur qëllimin, nëse tashmë jemi shumë afër anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, mendoj se ia ka vlejtur. Nëse shikojmë me llupë në drejtimin e Evropës Lindore, jemi të bindur se kemi zgjedhur rrugën më të mirë, madje e kemi bërë këtë në momentin e fundit. “, deklaroi Gashi.

Afrim Gashi: Kosova një ditë do ta ketë vendin e saj në OKB, NATO dhe në BE

I pyetur rreth anëtarësimit të Kosovës në OKB, Gashi u shpreh optimist se kjo gjë do të ndodhë.
Gashi vlerësoi se ngjarjet e fundit në Evropën Lindore, e kanë bindur Perëndimin se Kosova duhet që sa më shpejtë të ketë vendin e saj të merituar në OKB, NATO dhe në BE.
“Zgjidhja e problemit të Kosovës është një çështje komplekse. Kosova një ditë do ta ketë vendin e saj të merituar në OKB, do të jetë anëtare e NATO-s dhe Unionit Evropian. Është e qartë se rruga e Kosovës drejt pavarësisë, njohja dhe pranimi i saj është më e vështirë se për vendet e tjera, por ky është fati i “Tjetrit”. Për mua nuk është pyetja se a do të ndodhë kjo, por vetëm kur. Kjo është vështirë e parashikueshme edhe pse pritjet e mia janë optimiste, sidomos pas ngjarjeve të reja në kufijtë e Evropës Lindore, ku Perëndimi u bind se ky problem nuk mund të prolongohet edhe më.”, deklaroi Afrim Gashi.

Afrim Gashi: Alternativa e ka stabilizuar këtë Qeveri
Duke folur rreth asaj se a do të zgjas qeveria deri në fund të mandatit në vitin 2024, Gashi u përgjigj se nuk ka asnjë arsye që kjo gjë të mos ndodh.
Midis tjerash ai theksoi se ndihet i përmbushur me faktin se me futjen e Alternativës në Qeveri është mundësuar një shtet stabil.
“ Jam i bindur se me hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, ne e kemi lënë prapa vetes krizën politike në Maqedoninë e Veriut. Ky është lajm i mirë, për të mos thënë historik, por është e sigurt se ky është një lajm i pritur një kohë të gjatë. Personalisht ndjehem i përmbushur me faktin se me futjen e Alternativës në Qeveri kemi mundësuar një shtet stabil. Kur më pyesni se a do të zgjasë Qeveria deri në fund të mandatit, mund t’ju them se nuk ka asnjë arsye kjo gjë të mos ndodhë. Parlamenti ka shumicë stabile, qeveria po funksionon normalisht, ndërsa në këtë krizë energjetike, e cila pritet të jetë e vështirë, nuk e di a do të ishin zgjidhje zgjedhjet e reja. Neve na pret një dimër i vështirë, mund të kemi probleme me rrymën, që mund të ndikoje në krizën sociale, në zgjidhjen e së cilës të gjithë ne duhet të kontribuojmë. Nuk është koha për luftë të brendshme për pushtet. Këtë problem nuk e kemi shkaktuar ne, ky problem është global, për të cilin nuk kemi ndonjë faj. Megjithatë, do të thosha se asnjë shtet në regjion nuk ka plan më të mirë për t`u përballur me këtë krizë. Këtu qytetarët ende nuk e kanë ndjerë krizën, kjo falë menaxhimit të mirë të kësaj qeverie. Cila qeveri tjetër do të bënte më shumë?”, deklaroi Afrim Gashi.

Afrim Gashi: Serbia nuk mund të luajë me pozicionin “neutral”

Gashi i pyetur rreth “qëndrueshmërisë së neutralitetit” të shtetit të Serbisë në raport me NATO-n, ka theksuar se pas luftës në Ukrainë, Serbia duhet ta qartësojë këtë pozicion.
Gashi vlerësoi se është e padrejtë dhe e pamundur që Serbia t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e Perëndimit dhe të furnizohet me armatim nga Putini.
Në këtë mënyrë po krijohet një kancer në Ballkan, i cili po i rrezikon jo vetëm vendet fqinje, por tërë Evropën.
Sipas Gashit, Serbia duhet të sqarohet përfundimisht në raport me NATO-n, ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të mos e pengoje shndërrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në një shtet funksional, të barabartë dhe të fuqishëm.
“Kjo kërkon një analizë të detajuar. Qëndrimi i Serbisë që të mos futet nën ombrellën e NATO-s i krijon asaj mundësi për armatim të pakontrolluar, furnizim me armë jo-standarde për rrethanat tona, bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën në aspektin e sigurisë, që nuk është problem vetëm për fqinjët e saj, por ky është kancer në trupin e Evropës dhe në kufijtë e NATO-s. Mendoj se, pas përfundimit të krizës së Ukrainës, Serbia duhet të marrë vendim të qartë. Nuk mund të qëndrojë edhe më në dy karrige: t’i shfrytëzoje resurset e Perëndimit dhe të furnizohet me armë nga Putini. Pasi që kjo për mua nuk është “neutralitet”, por “trup rus” në Ballkan dhe në Evropë. Perëndimi tashmë me vite është duke e toleruar atë dhe duke i mbyllur sytë para ndikimit rus në Beograd. Kur ne jemi ankuar për këtë pozicion të Serbisë, që e kërcënon sigurinë tonë, ndoshta nuk kanë dashur ta dëgjojnë zërin tonë, por tanimë kur Rusia po e kërcënon tërë Evropën dhe Serbia po luan në kartën e “neutralitetit”, sidomos pas faktit se ka refuzuar të vendos sanksione ndaj Rusisë, vendet perëndimore duhet ta kuptojnë se ky është problem i sigurisë, i cili nuk paraqet rrezik vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për pjesën tjetër të botës.
Mendoj se është koha e fundit që të hapet dialogu përmbajtjesor për zgjidhjen e të gjitha kontesteve në Ballkan, sidomos të Kosovës me Serbinë dhe të Bosnjë e Hercegovinës me Serbinë, e cila e mban Republikën Srpska-n në duart e saj. Serbia duhet ta kuptojë se strukturat e saja shtetërore dhe ushtarake të viteve të nëntëdhjeta kanë kryer gjenocid mbi boshnjakët dhe shqiptarët dhe duhet të gjejë forcë për të kërkuar falje, pastaj duhet ta njohë Kosovën dhe të mos bëhet pengesë që Bosnja dhe Hercegovina të bëhet një shtet i fuqishëm, funksional dhe i barabartë. Kur kjo gjë të ndodhë, jam i bindur se Serbia do të dalë nga pozita e neutralitetit dhe do të bëhet anëtare e NATO-s dhe Unionit Evropian. Kështu e shoh unë këtë regjion në të ardhmen. Kështu dua të jetë dhe për këtë punoj. Se a do të realizohet kjo gjë, varet prej shumë faktorëve, por më e rëndësishmja është vullneti politik.“, deklaroi Afrim Gashi.