Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka filluar pastrimin brenda institucionit. Pesë inspektorë të anti-drogës janë larguar, ndërsa në procedurë janë edhe disa të tjerë. Kryeshefi i policisë, Rijad Aliu tha për Alsat se për çdo polic që Kontrolli i Brendshëm konstaton shpërdorim detyre, do të sanksionohet.

“Shkarkimet nga puna bazohen në nenin 210 ë Kodit Penal, pra, nuk kryen, kryen me neglizhencë dhe jo në kohë detyrimet e punës”, thonë nga MPB.

Ditëve në vazhdim, ky numër pritet të dyfishohet. Së shpejti në bankën e të akuzuarve pritet që të ulen të paktën edhe katër inspektorë dhe dy polic, që dyshohen për shkelje të rënda dhe involvim në trafik droge. Ndaj tyre, Kontrolli i Brendshëm është duke kryer hetime.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga SPB e Tetovës, të cilët thonë se Kontrolli i Brendshëm po kryen hetime ndaj disa inspektorëve dhe policëve që kanë keqpërdorur një shtetase të Bosnjës.

“Sa i përket rastit me shtetasen e Bosnjës, rasti është evidentuar në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës dhe për këtë rast, hetimet i kryen Kontrolli i Brendshëm për hetime kriminalistike dhe standarde profesionale”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Viteve të fundit, disa punonjës të Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës janë ndjekur për krime të ndryshme si trafik droge, trafikim armësh dhe ndihmesë të grupeve të organizuara kriminale që janë marrë edhe me trafikimin e qenieve njerëzore apo organizim të prostitucionit./Alsat.mk

sqShqip