Maqedoni

Albin Kurti zotohet për rrugën Prizren-Tetovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës priti në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.

“Ambasadorja Jusufi e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe fitoren e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe përcolli urimet e qeverisë së saj për të dhe popullin e Kosovës për procesin zgjedhor demokratik dhe institucionet e reja të dala nga ky proces.
Maqedonia e Veriut është një shtet fqinj mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, tha kryeministri Kurti. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi në rrafshin politik, tregtar dhe ekonomik janë në shërbim të të dy vendeve, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për thellimin dhe zgjerimin e tyre”, thuhet në njoftimin për media.
Andaj në shërbim të saj, u dakordua për organizimin e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive në një kohë të përshtatshme dhe duke pasur parasysh situatën epidemiologjike në vendet respektive, ku edhe do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh përfshirë edhe marrëveshjen për studim të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti gjithashtu konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Samitin e Prespës që planifikohet të mbahet në korrik të këtij viti.

Në takim gjithashtu u diskutua për situatën me pandeminë Covid-19 në të dy vendet, masat e ndërmarra nga qeveritë për ndaljen dhe uljen e trendit të infektimeve, për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe përpjekjet e pareshtura për sigurimin e dozave të reja të vaksinave kundër Covid-19.