Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), çdo fletëvotim i gjashtëmbëdhjetë ka rezultuar i pavlefshëm, që është gati dyfish më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021. KSHZ ka numëruar gjithsej 53.713 vota të pavlefshme, që përbëjnë rreth 6,1 përqind të numrit të përgjithshëm të votave. Vetëm në Qytetin e Shkupit janë regjistruar 12.270 fletëvotime të pavlefshme, shkruan Dojçe Vele (DW).

Në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore, numri i votave të pavlefshme është rritur dukshëm. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 janë regjistruar 11.472 vota të pavlefshme për kryetarë komunash dhe 13.367 për këshilla komunalë, ndërsa në ato të vitit 2021, gjithsej 37.859 fletëvotime të pavlefshme. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 janë evidentuar 24.305 vota të pavlefshme, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të po atij viti 27.127 fletëvotime nuk janë plotësuar sipas rregullave zgjedhore.

“Në zgjedhjet lokale, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë, të cilët votuan në 3.474 qendra votimi. Nga ta, në votime morën pjesë 885.085 qytetarë, ndërsa 831.361 vota u shpallën të vlefshme. Pjesëmarrja arriti në 48,30%”, njoftoi KSHZ.

Në katër komuna nuk u përmbush pragu ligjor i daljes prej së paku një të tretës së votuesve të regjistruar, për çka do të përsëritet i tërë raundi i parë i zgjedhjeve brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Raundi i parë do të përsëritet në Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë.

Këto zgjedhje lokale nxorën në pah edhe mosinteresimin në rritje të qytetarëve për të votuar, gjë që solli rënien e mbështetjes për pothuajse të gjitha partitë politike.

Sipas KSHZ-së, për listat këshilltare kanë votuar 48,29% e votuesve të regjistruar. Fitues është VMRO-DPMNE, me mbi 301 mijë vota, ose dy herë e gjysmë më shumë se socialdemokratët, të cilët morën mbi 125 mijë vota.

Për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, VMRO-DPMNE kishte mbi 439 mijë vota, ndërsa LSDM (SDSM) mbi 154 mijë

Të gjithë fituan apo të gjithë humbën?

Sipas deklaratave të VMRO-DPMNE, “partia është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve”. Nga partia theksojnë:

“Kemi një rezultat 50% më të mirë se në vitin 2021. Atëherë fituam 22 kryetarë komunash në raundin e parë, ndërsa tani – 33.”

Ata shtojnë se LSDM ka fituar rreth 126 mijë vota për listat këshilltare, “rezultati më i dobët në historinë e partisë”.

Në numër këshilltarësh, LSDM ka 230, ose 2,5 herë më pak se VMRO-DPMNE. Krahasuar me vitin 2021, LSDM ka humbur rreth 110 mijë vota dhe afërsisht 170 vende këshilltarësh, theksojnë nga opozita.

Nga ana tjetër, LSDM del me një interpretim tjetër të rezultateve. Sipas tyre, VMRO-DPMNE ka humbur 140 mijë vota, çka, siç thonë, “e ka zvogëluar ndjeshëm diferencën mes dy partive kryesore”.

Partia E Majta (Levica) ka marrë mbi 57 mijë vota, ndërsa partia ZNAM mbi 38 mijë. Koalicioni “Përvojë për sukses” (GROM, LDP, Integra, PCER) ka fituar rreth 13 mijë vota.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.

sqShqip