Maqedoni

Ministri Sali me lajm të mirë: Dy pacientë të rinj shpëtuan nga dializa, u transplantohen veshkët

Dy pacientë të rinj në dializë do të marrin veshkë nga donatori i ndjerë, familja e të cilit dje pas dite pranoi t’i dhuronte organet, njoftoi ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Sali paralajmëroi se gjithashtu, në ditët në vijim do të pasojnë edhe transplantet e indit kockor te pacientët që po mjekohen në Klinikën e Ortopedisë, duke vendosur theksin tek transplantimet si strategji e Ministrisë për të shpëtuar pacientët nga sëmundjet e rënda.
“Koordinatorja Nacionale, dr. Maja Mojsova Mijovska, koordinatorët e spitalit, së bashku me ekipet e Klinikës së Neurokirurgjisë, KARIL-it, Institutit të Radiologjisë, Klinikës së Transfuziologjisë, Klinikës së Nefrologjisë, Klinikës së Kardiologjisë dhe Klinikës Kirurgjike të Urologjisë dhe Ortopedisë, këtë fundjavë kanë kryer me sukses transplantin e tretë radhazi që nga fillimi i vitit”, deklaroi Sali.
Ai ka falënderuar familjen e pacientes së ndjerë, veçanërisht vajzën e saj të re, trimëria, guximi, humanizmi dhe mirësia e së cilës na sollën ditë plot shpresë dhe jetë për të paktën dy pacientë.
“Edhe një herë, ngushëllime për humbjen e pësuar dhe mirënjohje për humanizmin e tyre”, tha Sali.