Maqedoni

Kryeministri bullgar në Manastir, pritet me parulla anti-bullgare

“Për herë të parë një kryeministër bullgar vizitoi Manastirin.” Kështu e fillon komunikatën në rrjetet sociale qeveria bullgare për vizitën e delegacionit të drejtuar nga kryeministri Kirill Petkov. Ai është aty për të shënuar hapjen e Qendrës Kulturore “Ivan Mihajllov” në shoqërinë e ministres së Jashtme Teodora Gençovska, zëvendësen e tij Ilijana Jotova dhe deputeten Ekaterina Zaharieva. Më herët Petkov takoi përfaqësuesit e komunitetit bullgar në vend.

“Të dyja palët duhet të gjejnë një urë që do të krijojë marrëdhënie edhe më të mira dhe do të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Dhe nëse punojmë të gjithë së bashku, ka një mundësi reale për këtë. Nëse bashkohemi, nëse bashkojmë të gjitha forcat, kemi mundësi të bëjmë një hap përpara. Kjo nuk do të ndodhë në bazë të dokumenteve, por me punë të përbashkët. Unë do të thoja që ne duhet të përdorim potencialin, të pajtohemi dhe ta bëjmë këtë rajon, vendin me rritje më të shpejtë. Besoj se mundemi. Për momentin, kjo që po ndodh ka anët e mira dhe jo aq të mira, por është koha për të bërë një hap para”, deklaroi Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Petkov u prit nga përfaqësues të qeverisë së Shkupit.

Kryeministri bullgar dhe ekipi i tij u prit në Manastir nga protestuesit e fshatit Kravari që mbanin disa mbishkrime si: Kur do ta pranoni se ka maqedonas në Bullgari? Varret janë të mbushur me miqësinë bullgare, Goce është Maqedonia, etj. Forca të shumta policore shoqërojnë delegacionin gjatë vizitës, sigurojnë hapësirat dhe lëvizjen e tyre. /Alsat.mk