Deklarata kontradiktore për Spitalin Modular në Tetovë, të gjithë i kanë “kryer” punët, spitali s’është funksional
“Punët dhe detyrat tona për këtë i kemi kryer” kjo ishte përgjigja identike e katër institucioneve kompetente për lëshim në funksion të Spitalit Modular në Tetovë. Megjithatë, edhe pse shtretër spitalor në repartin infektiv në Tetovë çdo ditë ka më pak, Spitali Modular assesi nuk lëshohet në funksion, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse vitin e kaluar ky projekt u prezantua si “shpëtim” për numrin e lartë të pacientëve të infektuar me Kovid-19 në spitalet e vendit, Spitali Modular në Tetovë ende nuk është lëshuar në përdorim.
Spitali Klinik i Tetovës: I kemi kryer të gjitha detyrat tona, presim nga komuna dhe ministria
Fillimisht kontaktuam me drejtorin ekonomik të Spitalit Klinik të Tetovës, Artan Etemin, i cili theksoi se nga muaji mars ka dërguar së kërkesë për lëshim në funksion të spitalit modular, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
“Edhe pse ne kemi kërkuar nga muaji mars të na jepet leja për lëshim në funksion të spitalit modular në Tetovë, pasi të gjitha detyrat tona si Spital Klinik i Tetovës i kishim kryer, kjo nuk ka ndodhur, ende nuk është bë pranimi teknik, pra dhënia e çelësave për lëshim në funksion të spitalit modular” tha Artan Etemi, drejtor ekonomik në Spitalin Klinik të Tetovës.
Sipas Etemit, faji qëndron te Komuna e Tetovës, për shkak se siç thotë ai, nga kjo komunë nuk bashkëpunojnë mjaftueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht nuk i kanë dërguar dokumentacionin e kërkuar nga ata.
“Kam informacione se Komuna e Tetovës nuk i dorëzon deri te Ministria e Shëndetësisë dokumentacionin e nevojshëm për lëshim në funksion të spitalit modular, autoritetet komunale janë arsyetuar se këtë nuk mund ta bëjnë sepse punonjësit i kanë të sëmurë me Kovid” shtoi Artan Etemi.
Komuna e Tetovës demanton Etemin: Ne i kemi kryer të gjitha punët dhe detyrat tona
Nga Komuna e Tetovës gjithashtu pohuan se kanë kryer të gjitha detyrat e tyre dhe se presin që lëshimi në funksion i Spitalit Modular në Tetovë të bëhet sa më shpejtë, sipas tyre, kjo është në dorën e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në lidhje me spitalin modular, të gjitha detyrat e Komunës së Tetovës janë kryer. Ajo duhet të lëshohet në funksion nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë” thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.
Ministria e Shëndetësisë: Ne i kemi kryer të gjitha detyrimet bazuar në marrëveshjen, Spitali Klinik i Tetovës duhet të lëshojë në funksion Spitalin Modular
Sipas zëdhënëses të ministrisë së Shëndetësisë, Katerina Geteva, nga kjo ministri janë kryer të gjitha punët e nevojshme për lëshim në funksion të Spitalit Modular, ajo shtoi se është bë nga data 9 mars pranim dorëzimi i gjësendeve brenda spitalit.
“Në përputhje me marrëveshjen dhe detyrimet nga e njëjta, spitali modular e cila është vendosur në oborrin e Spitalit Klinik në Tetovë, është vendosur krejtësisht gati në afatin e paraparë dhe pranim dorëzimin i inventarit, mobileve dhe të tjerave është kryer me datë 09.03.2021, nga ana e komisionit ku ka pjesëmarrës nga Ministria e Shëndetësisë dhe MTSP” theksuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga kjo ministri theksojnë se është detyrë e Spitalit Klinik të Tetovës si shfrytëzues i këtij Spitali Modular të vendosë në funksion Spitalin Modular për pacientët me Kovid-19, kështu duke pohuar të kundërtën e asaj që e kishte deklaruar drejtori ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës, Artan Etemi.
“Shfrytëzuesi i këtij spitali, pra Spitali Klinik i Tetovës duhet të bëje lidhjen infrastrukturore dhe të vendose në funksion në përputhje me nevojat e Spitalit Klinik të Tetovës, si person juridik. Komuna e Tetovës dhe Ministria e Shëndetësisë ka ndihmuar në mënyrë logjistike edhe për lidhjen infrastrukturore. Të njëjtat procedura vlejnë për të gjitha spitalet modulare, të cilat në afat të shkurtër janë vendosur në funksion në 17 qytete të RMV-së” deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.
Kompania e cila ka ndërtuar Spitalin Modular, “Brako”: Ne i kemi kryer punët tona, nuk kemi informacion pse nuk është vendosur në funksion ende
Kontaktuam edhe me kompaninë e cila ka kryer punimet për Spitalin Modular në oborrin e Spitalit Klinik të Tetovës, nga atje pohuan se ata kanë përfunduar të gjitha punët e tyre dhe se nuk kanë informacion pse nuk është vendosur në funksion ende.
“Po, ne të gjithë punët tona i kemi kryer dhe ka kohë. Nuk kemi informacion se pse nuk është vendosur ende në funksion” thanë nga “Brako – Veles”.
Tereni flet ndryshe
Gazetari i Portalb.mk ishte sot në teren dhe verifikoi se Spitali Modular në Spitalin Klinik të Tetovës ende nuk është funksional, ndërkaq morëm deklaratë nga koordinatori i Qendrës Kovid, Gëzim Nuredini, i cili vendosi në pah situatën alarmante me Kovid-19 në pollog.
“Aktualisht kemi 49 pacient të shtrirë në spital për shkak të virusit korona dhe të gjithë janë në gjendje të rëndë, gjegjësisht nën mbështetje të oksigjenit. Në Spitalin Klinik të Tetovës ka ende shtretër të lirë për pacientë tjerë” tha Gëzim Nuredini, mjek dhe koordinator i Qendrës Kovid.
Ndryshe, ai gjithashtu potencoi se të hospitalizuar ka pacientë të ri të cilët nuk kanë sëmundje kronike, që sipas tij, kjo nuk ka ndodhur më parë. Ndërkaq, është rritur numri i pacientëve të cilët çdo ditë vijnë për kontrollë, edhe atë deri në 100 persona në ditë.