Ejup Berisha
Nëse procesi aktual i zgjerimit të Bashkimit Evropian do të bllokohej ose do të vonohej ndjeshëm, mund të merren në konsideratë disa alternativa për të ruajtur lidhje më të ngushta ndërmjet BE-së dhe vendeve kandidate.
Integrimi gradual pa anëtarësim të menjëhershëm
Vendet kandidate mund të përfitojnë gradualisht nga disa të drejta dhe përfitime që lidhen me anëtarësimin, në varësi të reformave të zbatuara dhe përputhshmërisë së tyre me kriteret evropiane. Ato mund të marrin pjesë më gjerësisht në tregun e vetëm evropian, programet kërkimore, politikat energjetike, infrastrukturë dhe mekanizmat e sigurisë, pa u bërë menjëherë anëtare të Bashkimit Evropian.
Një Evropë me shumë nivele
Bashkimi Evropian mund të funksionojë me nivele të ndryshme integrimi shtetet me anëtarsi të plota në nivelin e parë, vendet e lidhura me tregun evropian në nivelin e dytë dhe partnerët që marrin pjesë në bashkëpunimin politik dhe ekonomik në nivelin e tretë.
Bashkëpunimi i zgjeruar rajonal
BE-ja mund ti zhvillojë më tej investimet, tregtinë, infrastrukturën, lëvizshmërinë e qytetarëve dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Cilat janë pasojat për Ballkanin Perëndimor?
Për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, këto zgjidhje do të mundësonin vazhdimin e integrimit me Evropën, edhe nëse anëtarësimi i plotë do të shtyhej.
Megjithatë, një qasje e tillë mbart rrezikun e krijimit të një zone të ndërmjetme, ku vendet do të ishin ekonomikisht më afër BE-së, por politikisht të privuara nga të njëjtat të drejta që gëzojnë shtetet anëtare.
Prandaj, një plan B është i mundshëm. Ai mund të ruajë vrullin evropian dhe të parandalojë izolimin e vendeve kandidate. Megjithatë, integrimi gradual nuk duhet të shndërrohet në një zëvendësim të përhershëm të anëtarësimit. Ai duhet të përbëjë një hap kalimtar drejt integrimit të plotë evropian.
Prandaj, pyetja themelore mbetet. A dëshiron Bashkimi Evropian të përgatisë anëtarë të rinj për t’u bashkuar me të apo thjesht t’i mbajë fqinjët e tij në një marrëdhënie partneriteti të privilegjuar?
Si mund t’i ndihmojë BE-ja shtetet kandidate për t’u anëtarësuar në gjirin e saj?
Bashkimi Evropian mund t’i ndihmojë shtetet kandidate në procesin e anëtarësimit përmes disa mekanizmave konkretë politikë, ekonomikë, financiarë dhe institucionalë.
Përmes ndihmës financiare. Duke siguruar fonde dhe grante për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe modernizimin e shtetit.
Përmes ekspertizës institucionale. Duke ofruar ekspertë dhe këshilltarë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis-in e BE-së.
Përmes mbështetjes për reformat. Duke ndihmuar në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, sistemit gjyqësor dhe luftës kundër korrupsionit.
Përmes qasjes në tregun evropian. Duke lehtësuar integrimin gradual të ekonomive të vendeve kandidate në tregun e përbashkët evropian.
Përmes mbështetjes politike dhe diplomatike. Duke ruajtur perspektivën e qartë të anëtarësimit dhe duke ndërmjetësuar në tejkalimin e mosmarrëveshjeve.
Përmes përgatitjes për anëtarësim. Duke ndihmuar në hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e standardeve evropiane.
Një çështje shumë e rëndësishme është se BE-ja nuk duhet vetëm të kërkojë reforma nga vendet kandidate, por e njejta duhet edhe t’u ofrojë atyre mbështetje konkrete për realizimin e tyre.
Kjo do të thotë se procesi i zgjerimit duhet të jetë një partneritet me përgjegjësi të dyanshme. Kështu, vendet kandidate duhet t’i përmbushin kriteret, ndërsa BE-ja duhet tu garantojë mbështetje, besueshmëri dhe një perspektivë të qartë anëtarësimi.

