Raporti i Bankë Evropiane për Investime e tregon ndikimin e projekteve të saj ndaj ndërlidhjes së qëndureshme në Ballkanin Perëndimor

· Që prej vitit 2004, BEI ka investuar 3,4 miliardë euro në infrastrukturë rrugore të qëndrueshme në rajon

· Në vitin 2025, BEI nënshkroi marrëveshje financimi me një vlerë gjithsej prej 1,3 miliardë eurosh për projekte në vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe në vendet e Fqinjësisë Lindore

· Vitin e kaluar, banka e BE-së financoi 5,1 miliardë euro për veprime në fushën e klimës dhe qëndrueshmërisë mjedisore jashtë Bashkimit Evropian

" "

Që prej vitit 2004, Ballkani Perëndimor ka përfituar financim me vlerë 3,4 miliardë euro nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) për projekte strategjike rrugore, siç theksohet në Raportin e Ndikimit Global të BEI-t për vitet 2025-2026, i cili mbulon operacionet e bankës jashtë Bashkimit Evropian. Përmes këtij financimi, janë përmirësuar dhe ndërtuar 37 projekte strategjike të infrastrukturës rrugore në rajon dhe janë mobilizuar 6,9 miliardë euro në investime totale.

Mbështetja e BEI-t ka kontribuar në përmirësimin e më shumë se 4700 km rrugë kryesore dhe dytësore në Ballkanin Perëndimor. Nga ky total, rreth 1600 km janë pjesë e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T) – një prioritet i BE-së – i cili kalon përmes rajonit. Në vitin 2025, BEI nënshkroi projekte të mëdha rrugore dhe hekurudhore, si modernizimi i hekurudhave të Shqipërisë në Korridorin VIII, duke nxitur kalimin drejt transportit më të gjelbër, si dhe duke krijuar vende pune dhe mbështetur tregtinë.

Projektet përfitojnë gjithashtu nga qasja “Ekipi Evropë”, e cila kombinon financimin me kushte të favorshme, grantet e BE-së përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe ekspertizën teknike.

“BEI ka mbështetur prej kohësh përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Richard Amor, drejtor i BEI-t për operacionet në vendet e zgjerimit dhe të fqinjësisë së BE-së. “Lidhjet më të mira të transportit përkthehen në kohë më të shkurtra udhëtimi, kosto më të ulëta transporti dhe qasje më të mirë në treg, duke ndihmuar në forcimin e integrimit rajonal, përthithjen e investimeve dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme.”

Deri në fund të vitit 2025, BEI përmbushi zotimin e bërë për mbështjen e investimeve me një vlerë gjithsej prej 100 miliardë eurosh, në kuadër të strategjisë së BE-së “Global Gateway”, e cila synon të mobilizojë deri në 300 miliardë euro deri në vitin 2027 për investime strategjike në mbarë botën. Në kuadër të kësaj nisme, për shembull, BEI nënshkroi një kredi prej 150 milionë eurosh për përmirësimin e rrjetit rrugor në Serbi, me qëllim rritjen e ndërlidhjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Në një kontekst më të gjerë, në vitin 2025, BEI nënshkroi marrëveshje financimi me një vlerë gjithsej prej 1,3 miliardë eurosh për projekte në sektorë të ndryshëm në vendet kandidate për anëtarësim në BE (me përjashtim të Ukrainës) dhe në vende të tjera të fqinjësisë lindore. Pas përfundimit, këto projekte do të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të furnizuar 1,7 milionë familje, do të përmirësojnë aksesin në kujdes shëndetësor për 1,2 milionë njerëz dhe do të shtojnë udhëtimet me transport publik me 1,1 milionë udhëtime në vit.

Gjatë vitit 2025, Grupi i BEI-t vijoi gjithashtu zbatimin e “Udhërrëfyesit për Bankën e Klimës”, duke ofruar financim me një vlerë prej 5,1 miliardë eurosh për masa klimatike dhe qëndrueshmëri mjedisore jashtë BE-së. Investimet kryesore të gjelbra në Ballkanin Perëndimor përfshijnë financimin e një parku eolik në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe projekte hekurudhore në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Krahas financimit, Grupi i BEI-t ofron asistencë teknike për të ndihmuar vendet që të integrojnë rreziqet klimatike në planifikimin e projekteve dhe për të përshpejtuar zbatimin e investimeve të gjelbra. Përmes programit të asistencës teknike “Sisteme Financiare të Gjelbra”, BEI po mbështet Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në zhvillimin e kornizave për rreziqet klimatike, avancimin e taksonomive të gjelbra kombëtare dhe nxitjen e investimeve të gjelbra te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

sqShqip