Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028, ndërsa mandati im si kryetar i Qeverisë përfundon për pak më shumë se një vit. Qëllimi i fushatës së VMRO-DPMNE-së është të dëgjojmë nga qytetarët se çfarë mungon dhe të përmirësohemi, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse fushata e paralajmëruar e partisë së tij është përgatitje për zgjedhje të parakohshme.
– Nuk mund ta komentoj opozitën në çdo deklaratë, ua lë atyre qëndrimet e tyre, por është mirë që si parti politike të dalim para qytetarëve dhe të dëgjojmë se çfarë mungon, në mënyrë që në këtë periudhë të ndërmjetme të përmirësohemi në politikat tona, por edhe një pjesë t’i përfshijmë në programin për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të jenë në muajin prill të vitit 2028. Dikund nga fundi i dhjetorit të vitit 2027 ne kemi zgjedhje të Qeverisë teknike, kështu që do të thoja se mandati im si kryetar i Qeverisë është pak më shumë se një vit e një muaj dhe është logjike që si unë si kryetar i Qeverisë, ashtu edhe Qeveria, të duam të dëgjojmë dhe atje ku jemi më pak të suksesshëm të jemi më të suksesshëm, nëse kjo është e mundur në këtë periudhë, e nëse jo, në mandatin e ardhshëm; kështu që ky është qëllimi i këtij aktiviteti në terren „Sy më sy me qytetarët“ – deklaroi Mickoski.
Ai vuri në dukje se Qeveria e tij është llogaridhënëse dhe transparente dhe se gjatë dy – dy viteve e gjysmë të kaluara, ai dhe anëtarët e saj janë vazhdimisht në opinion me deklarata dhe marrin pjesë në ngjarje publike.
VMRO-DPMNE dje njoftoi se fillon aktivitete në terren me vizita në të gjitha vendbanimet për t’u takuar me qytetarët, transmeton portali Lideri.mk.
– Deri në fund të vitit, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së fillojnë vizita intensive në komitetet komunale të partisë. VMRO-DPMNE si parti politike vlerëson se vetëm në takime direkte mund të dëgjohet situata reale ose ekzistojnë gjëra që nuk mund të kuptohen nga raporte, statistika dhe takime pas dyerve të mbyllura. Në takime do të bisedohet për atë që është realizuar, nëse është respektuar afati, sepse vetëm kështu mund të pasojnë rezultate. Dhe kjo është edhe një mënyrë për funksionim më të mirë të institucioneve përgjegjëse dhe kënaqësi më të madhe te qytetarët. Qëllimi është i thjeshtë: të bisedohet dhe të dëgjohet nga qytetarët për atë që funksionon dhe për atë që nuk funksionon – njoftoi dje partia në pushtet./Lideri

