Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ku akademikut Abdylmenaf Bexheti iu nda titulli prestigjioz “Doctor Honoris Causa”.

Përmes një mesazhi urimi, Ahmeti vlerësoi se një çerek shekulli i ekzistencës së UEJL-së përfaqëson një histori të rëndësishme të zhvillimit akademik, institucional dhe shoqëror, duke theksuar rolin e universitetit në avancimin e arsimit të lartë dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja të profesionistëve.

“Universiteti i Evropës Juglindore është dëshmi se vizioni, investimi në dije dhe përkushtimi institucional mund të krijojnë vlera të qëndrueshme për shoqërinë tonë”, ka theksuar Ahmeti.

Ai shprehu urimet më të përzemërta për akademikun Abdylmenaf Bexheti për vlerësimin e marrë, duke e cilësuar titullin si të merituar, ndërsa Universitetit të Evropës Juglindore i uroi suksese të mëtejshme, arritje të reja akademike dhe shumë dekada të tjera zhvillimi.

" "

Ceremonia u organizua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të UEJL-së, institucion që konsiderohet një nga shtyllat kryesore të arsimit të lartë në vend.

sqShqip