Ministria e Drejtësisë ia dorëzoi Komisionit Evropian për mendim Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin e ri për Procedurën Penale, duke vazhduar kështu procesin e reformës gjithëpërfshirëse të legjislacionit penal dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane.

Siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, Kodi i ri penal po përgatitet pas tri dekadash, ndërsa së bashku me Ligjin e ri për Procedurën Penale synon të sigurojë luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, procedura gjyqësore më të drejta, mbrojtje më të mirë të viktimave dhe siguri më të madhe juridike për qytetarët.

“Thelbi i reformës nuk qëndron vetëm në miratimin e ligjeve të reja, por në zbatimin e tyre dhe rezultatet që duhet t’i ndiejnë qytetarët. Qëllimi është krijimi i një kornize ligjore që mundëson hetime efikase, procedura gjyqësore të drejta, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime”, thonë nga Ministria.

Përgatitja e Kodit të ri penal filloi në vitin 2019, ndërsa grupi i punës i udhëhequr nga akademiku Vllado Kambovski, gjatë periudhës 2020-2026, zhvilloi konsultime të gjera me përfaqësues të gjyqësorit, komunitetit akademik, institucioneve kompetente dhe organizatave të shoqërisë civile.

" "

Në tekstin e propozuar janë përfshirë 33 direktiva relevante të Bashkimit Evropian, ndërsa gjatë konsultimeve janë shqyrtuar më shumë se 50 mendime dhe propozime.

“Paralelisht është punuar edhe për Ligjin e ri për Procedurën Penale. Grupi i punës i ekspertëve, i udhëhequr nga prof. dr. Gordana Lazhetiq dhe i përbërë nga 25 anëtarë, përfundoi përgatitjen e tekstit në tetor të vitit 2026. Propozimi parasheh harmonizimin me 25 direktiva dhe standarde relevante evropiane”, thonë në Ministri.

Ndër zgjidhjet kryesore janë avancimi i konfiskimit, hetimeve financiare, provave elektronike, masave të posaçme hetimore, mbrojtjes së viktimave, si dhe mundësitë për mbajtjen e seancave dhe administrimin e provave në distancë.

Në përgatitjen e të dy teksteve ligjore mbështetje të rëndësishme ofruan partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Misioni i OSBE-së në Shkup.

Me dorëzimin e propozimeve në Komisionin Evropian, Ministria e Drejtësisë vazhdon përmbushjen e detyrimeve nga Agjenda Reformuese dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me të drejtën evropiane.

Nga Ministria e Drejtësisë potencojnë se reforma e legjislacionit penal duhet të sjellë ndryshime konkrete në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Vlera e saj e vërtetë do të dëshmohet përmes hetimeve më efikase, procedurave gjyqësore më të drejta, mbrojtjes më të fuqishme të të drejtave dhe sigurisë më të madhe juridike për çdo qytetar”, thuhet në kumtesë.

sqShqip