Numri i viktimave në aksidente trafiku është ulur për rreth 29 për qind, krahasuar me dy vitet paraprake, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, me projektin „Qyteti i Sigurt”, ka fituar vendin e parë në kategorinë “Përsosmëri në sigurinë në trafik” në Samitin Botëror të Policisë në Dubai, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Duke prezantuar rezultatet e projektit, Toshkovski theksoi se gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti, numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku ishte 85, krahasuar me 117 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 119 në vitin 2024.

“Kjo do të thotë 32 viktima më pak krahasuar me vitin 2025, përkatësisht 34 më pak në krahasim me vitin 2024. Një ulje prej rreth 29 për qind”, deklaroi Toshkovski dhe shtoi se gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar edhe 124 persona më pak me lëndime të rënda trupore krahasuar me vitin 2025 dhe 195 më pak në krahasim me vitin 2024.

Ministri kumtoi gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme ka fituar çmimin e parë në kategorinë “Përsosmëri në sigurinë në trafik” në Samitin Botëror të Policisë në Dubai, për projektin „Qyteti i Sigurt”. Maqedonia është shpallur fituese në konkurrencë me kandidaturat e Policisë së Singaporit, Policisë së Abu Dabit, Drejtorisë së Rrugëve dhe Transportit të Dubait dhe Shërbimit Policor të shtetit indian Maharashtra.

" "

“Në fushën e sigurisë në trafik, me krenari mund të themi se fitues është Maqedonia. E dimë se çfarë përfaqëson Singapori sa i përket administratës funksionale dhe zhvillimit teknologjik, ndërsa e dimë shumë mirë rëndësinë e Dubait dhe Abu Dabit në zbatimin e teknologjisë. Por ne dëshmuam se edhe Maqedonia ka kapacitet të arrijë rezultate që njihen në nivel botëror”, theksoi Toshkovski.

Ai sqaroi se çmimi është ndarë për projektin „Qyteti i Sigurt”, i cili, përveç vendosjes së kamerave, ka përfshirë edhe ndryshime ligjore, digjitalizimin e procedurave dhe ndërlidhjen e sistemeve institucionale në procesin e sanksionimit të kundërvajtjeve në trafik.

Toshkovski vlerësoi se përfitimi kryesor nga ky sistem është rritja e sigurisë se shkeljet do të ndëshkohen, si dhe garantimi i trajtimit të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Ai kujtoi se gjatë 15 viteve të fundit në rrugët e Maqedonisë e kanë humbur jetën 2.131 persona, gjë që, sipas tij, përbën një alarm serioz për të gjitha institucionet.

Pavarësisht rezultateve të arritura, Toshkovski theksoi se nevojiten investime shtesë në infrastrukturën rrugore, sinjalistikën, parkun e automjeteve dhe edukimin në komunikacion, duke nënvizuar se objektivi përfundimtar mbetet realizimi i vizionit për zero viktima në rrugë deri në vitin 2050.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se për çmimet e Samitit Botëror të Policisë kanë mbërritur më shumë se 700 nominime nga mbi 60 shtete, në 13 kategori. Përzgjedhja e fituesve bëhet përmes një vlerësimi të pavarur profesional, intervistave dhe një analize të detajuar të rezultateve teknologjike dhe operative.

sqShqip