Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të projektit rajonal „VET2WORK – Përshtatja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional me Nevojat e Tregut të Punës“, si dhe në Dialogun e Parë Rajonal të Politikave, që u mbajtën në Durrës të Shqipërisë.

Sulejmani, i shoqëruar nga drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik Zendeli, përfaqësoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut në këtë aktivitet, ku morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Projekti, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Austriake për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD), synon avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe përafrimin e tij me kërkesat e tregut të punës.

Në fjalën e tij, Sulejmani theksoi nevojën për forcimin e arsimit profesional dhe dual, zgjerimin e praktikës në kompani dhe krijimin e partneriteteve më të fuqishme ndërmjet shkollave profesionale dhe sektorit të biznesit.

" "

Ai vuri në pah edhe rëndësinë e zhvillimit të kompetencave digjitale dhe të gjelbra, si dhe garantimit të mundësive të barabarta për të rinjtë, veçanërisht për vajzat dhe të rinjtë nga zonat rurale.

„Arsimi profesional nuk duhet të shihet si zgjedhje e dorës së dytë, por si një rrugë e rëndësishme drejt suksesit profesional, punësimit dhe zhvillimit ekonomik“, theksoi Sulejmani.

Ai shtoi se bashkëpunimi rajonal dhe partneritetet ndërkombëtare janë të rëndësishme për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe për përgatitjen e kuadrove të kualifikuara, në përputhje me nevojat e ekonomisë moderne.

sqShqip