Procesi gjyqësor kundër Iva Mihailovës, e akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion lidhur me aksidentin rrugor pranë Koçanit me pasoja vdekjeprurëse, vazhdoi më 9 nëntor në Gjykatën Themelore në Koçan. Seanca u mbajt pa praninë e saj, pasi më herët ishte bërë e paarritshme për organet e ndjekjes dhe ndaj saj ishte shpallur fletarrest ndërkombëtar.

Gjykata e ka refuzuar kërkesën e të akuzuarës për të marrë pjesë në seancë përmes videolidhjes, me arsyetimin se dispozitat ligjore nuk parashohin një mundësi të tillë për personat e akuzuar. Vendimi mbeti i pandryshuar edhe pasi nga një zyrë avokatie në Bullgari kishte arritur ankesë për refuzimin e kërkesës.

Pas seancës reagoi edhe Bki Durmishi, vëllai i të ndjerit në aksident, i cili shprehu pakënaqësi me rrjedhën e gjykimit dhe me mënyrën se si ekspertët e mbrojtjes i paraqitën gjetjet e tyre.

Ai theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor sërish ishte theksuar se përplasja ka ndodhur në anën e automjetit ku ndodhej vëllai i tij. Durmishi tregoi gjithashtu se në seancë kishte marrë pjesë një deputet bullgar, i cili ishte paralajmëruar pasi kishte fotografuar me telefon celular në sallën e gjyqit.

" "

“Çfarë të them, ekspertët e mbrojtjes së të akuzuarës i lexonin përgjigjet e pyetjeve. Kishte një deputet nga Bullgaria, i cili gjatë gjykimit fotografonte me telefon celular, prandaj e paralajmëruan. Unë vetëm në heshtje po vëzhgoj, po shoh se çfarë po ndodh mbi emrin e një jete të re të shuar”, deklaroi Durmishi.

Në seancën e ardhshme, e caktuar për 27 nëntor, gjykata ka propozuar të dëshmojë mjeku që ka kryer autopsinë, si dhe ekspertët e angazhuar nga mbrojtja. Pritet të shqyrtohet edhe kërkesa e prokurorisë për ekspertizë mjekësore, si dhe të paraqiten prova shtesë materiale.

Ndryshe, Iva Mihailova nga Koçani ishte e ftuar në podkastin e gazetarit bullgar Martin Karbovski, ku foli për identitetin e saj kombëtar, procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër saj në Maqedoni dhe raportin e institucioneve maqedonase ndaj saj.

Podkasti, i publikuar më 7 nëntor, mban titullin “Donin të hiqja dorë nga bullgarizmi brenda meje”, ndërsa Mihailova në bisedën me Karbovskin, ku merr pjesë edhe avokati i saj Nikollaj Dimitrov, e paraqet historinë e saj përmes prizmit të identitetit bullgar.

Ajo thotë se ndihet bullgare, edhe pse ka lindur në Maqedoni, dhe pretendon se është përballur me presione për shkak të deklarimit publik të përkatësisë së saj kombëtare.

sqShqip