Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, konsideron se partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për ndryshimet e Ligjit për Prokurimet Publike, për të cilat janë dorëzuar 2.158 amendamente. Nëse nuk arrihet marrëveshje, Kuvendi do t’i shqyrtojë amendamentet brenda afateve të përcaktuara me Rregulloren e Punës.

“Në këtë rast, mendoj se kur kemi kaq shumë amendamente, jemi demokraci parlamentare dhe Kuvendi është vendi ku duhet të zhvillohen diskutimet. Duhet të gjendet një mënyrë për të arritur deri te një zgjidhje”, tha Gashi në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1.

I pyetur nëse ka biseduar me koordinatorët e grupeve parlamentare, kryetari i Kuvendit theksoi se për arsye objektive atë ditë nuk ishte mbajtur koordinimi, ndërsa qëndrimet e partive tashmë janë të njohura, transmeton portali Lideri.mk.

Ndryshimet e Ligjit për Prokurimet Publike janë pika e parë e rendit të ditës në seancën e nesërme plenare. I pyetur nëse deputetët do të fillojnë me shqyrtimin e tyre apo përparësi do t’i jepet rishikimit të buxhetit, Gashi tha se zakonisht, kur bëhet fjalë për rishikimin e buxhetit, fillohet me të.

" "

Sipas tij, thelbi i ndryshimeve është që gjatë përzgjedhjes së ofertës më të mirë, përveç çmimit, të vlerësohet edhe cilësia.

“Askush nuk ka për qëllim, e aq më pak shumica parlamentare në këtë rast, që të kalojë diçka në mënyrë të fshehtë”, deklaroi Gashi.

Zgjedhjet e parakohshme dhe raporti VLEN–BDI

Gashi foli edhe për zgjedhjet parlamentare, duke shprehur bindjen se ato do të mbahen në afatin e rregullt, ndonëse, sipas vlerësimit të tij, VLEN-it do t’i konvenonin zgjedhje të parakohshme.

Ai tha se nga zgjedhjet eventuale të parakohshme nuk pret ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por pret rezultat më të mirë për VLEN-in në krahasim me BDI-në, transmeton portali Lideri.mk.

“Por nuk mendoj se për interesat e një partie politike duhet të shkohet në zgjedhje dhe të prishet ky parim, për të cilin besoj se ka efekte më të mëdha në shoqëri dhe në shtet. Duhet të krijojmë stabilitet të përbashkët politik çdo katër vjet. Disa cikle zgjedhore radhazi, në të cilat Parlamenti do ta përfundonte mandatin katërvjeçar, do të kontribuonin në stabilitetin politik”, tha kryetari i Kuvendit.

Gashi flet edhe për bashkimin e VLEN-it

I pyetur nëse ka probleme brenda partisë për ndarjen e kuadrove dhe nëse pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme mund të jetë një nga pikat e mosmarrëveshjes ndërmjet liderëve të VLEN-it, Gashi tha se nuk ka informacione për probleme të tilla, as brenda VLEN-it dhe as ndërmjet VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.

Ai shtoi se, ndonëse VLEN është një subjekt politik heterogjen, po ecën me ritme të shpejta drejt homogjenizimit.

“Po shohim elemente të fuqishme të homogjenizimit, në krahasim me partitë e tjera politike që duken të unifikuara dhe kanë traditë më të gjatë, por brenda tyre kanë përçarje të mëdha dhe disa fraksione. Mendoj se nëse krahasohemi me partitë e tjera politike, ne po ecim drejt homogjenizimit dhe po afrohemi. Ky proces mund të zgjasë dhe normalisht që duhet të zgjasë. Unë nuk jam njeri që dëshiron t’i fshehë gjërat”, deklaroi Gashi.

Ai theksoi se bashkimi i katër partive në një subjekt të vetëm politik nuk është një proces i lehtë.

“Duhet t’i afroni katër parti, fillimisht të organizohet kongresi dhe të merret vendimi që të bëhemi një parti e vetme. Kjo nuk është punë e lehtë. Të gjithë ata që merren me politikë, kudo në botë, do t’ju thonë se është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Por edhe më pas na mbetet të gjithëve që jemi brenda të punojmë për homogjenizimin e VLEN-it”, përfundoi Gashi./Lideri

sqShqip