Etem Xheladini
Postet janë të përkohshme, pushteti kalimtar, por një shkollë e hapur, një fakultet i themeluar dhe një brez i arsimuar janë vepra që i rezistojnë kohës.
Në fund të jetës, askush nuk do të të pyesë se sa poste të larta ke ushtruar, sa herë ke qenë pjesë e pushtetit, sa pasuri ke grumbulluar. Ajo që do të ketë rëndësi është se çfarë ke bërë për njerëzit, çfarë gjurmësh ke lënë në shoqëri dhe çfarë trashëgimie u ke dorëzuar brezave që vijnë. Është koha që disa njerëz ta kuptojnë se nuk është madhështi të lakmosh gjithmonë postet e paranë, por të kesh guximin, vizionin dhe ndërgjegjen për të bërë vepra që mbeten edhe kur ti nuk je më në pushtet. Është e dhimbshme kur ambicia për një pozitë politike bëhet më e rëndësishme se dinjiteti, parimet, miqësia dhe sakrificat e një jete të tërë. Veçanërisht duhet kuptuar se arsimi shqip nuk është një projekt i zakonshëm institucional, as një çështje që mund të matet me interesat e ditës apo me përfitimet e individëve. Arsimi në gjuhën shqipe është një nga shtyllat themelore të identitetit tonë kombëtar, i mbijetesës kulturore, i vetëdijes historike dhe i së ardhmes së popullit shqiptar. Për hapjen dhe funksionalizimin e shkollave shqipe, për themelimin e fakulteteve, për krijimin e institucioneve arsimore dhe për të drejtën e brezave që të mësojnë, të studiojnë e të formohen në gjuhën e tyre amtare, janë bërë sakrifica të mëdha. Breza të tërë kanë punuar, janë përballur me pengesa, kanë duruar padrejtësi dhe kanë sakrifikuar shumëçka, vetëm që fëmijët shqiptarë të mos mbeten pa dritën e dijes dhe pa mundësinë e shkollimit në gjuhën shqipe. Prandaj, ata që kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në hapjen e një shkolle, në themelimin e një fakulteti, në avancimin e arsimit shqip apo në krijimin e kushteve për edukimin e brezave, kanë arsye të jenë krenarë përjetësisht. Një shkollë nuk është thjesht një ndërtesë; ajo është vatër e dijes, e identitetit dhe e emancipimit. Një fakultet nuk është vetëm institucion akademik, ai është një dritare e hapur drejt së ardhmes, një mundësi për formimin e kuadrove dhe një investim në dinjitetin e një kombi.
Çfarë mund të jetë më e vlefshme se t’i japësh një populli mundësinë të arsimojë fëmijët e vet në gjuhën amtare. Çfarë posti mund të jetë më i lartë se kontributi që ua hap dyert e dijes mijëra të rinjve, dhe çfarë pasurie mund të krahasohet me një brez të arsimuar, të formuar dhe të vetëdijshëm për identitetin e tij. Prandaj, mos e zvogëloni madhështinë e veprave tuaja duke u bërë robër të ambicieve për poste, tituj dhe privilegje. Mos lejoni që interesat e përkohshme politike të vënë në hije kontributin e atyre që kanë dhënë për arsimin, kulturën dhe kauzën kombëtare. Mos harroni se pozitat ndërrohen, qeveritë shkojnë e vijnë, por institucionet arsimore që ndërtohen me vizion dhe sakrificë vazhdojnë t’u shërbejnë brezave. Krenohuni me shkollat që keni ndihmuar të hapen, me fakultetet për të cilët keni kontribuar të themelohen, me nxënësit dhe studentët që kanë përfituar nga puna juaj, me veprat humanitare dhe me çdo angazhim që ka pasur për qëllim të mirën e përbashkët dhe avancimin e kauzës kombëtare.
Le të flasin dokumentet, arkivat, fotografitë, incizimet dhe dokumentarët për kohën, mundin dhe sakrificat tuaja. Le të dëshmojnë brezat e arsimuar se dikush, dikur, ka menduar për të ardhmen e tyre dhe jo vetëm për karrierën e vet politike. Mos lakmoni të jeni gjithmonë të parët në pushtet, synoni të jeni ndër ata që kanë lënë gjurmët më të çmuara në arsim, kulturë dhe histori. Por shkolla që hapët, fakulteti që ndihmuat të themelohej, dija që u dhatë brezave dhe kontributi për gjuhën, identitetin e dinjitetin kombëtar do të vazhdojnë të jetojnë.
Një post mund të të bëjë të njohur për një mandat, por një vepër në shërbim të arsimit shqip mund të të bëjë pjesë të kujtesës së brezave.

