Maqedoni

Taravari: Kujt i djeg miza le ta mbajë!

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari tha se në statusin e tij për Hitlerin nuk ka bërë ndonjë krahasim, por se partia e Ahmetit reagoi menjiherë.

“Në një status timin citova një nga reagimet më cinike të diktatorit tê tmerrshëm, Adolf Hitler. Nuk përmenda asnjë emër të veçantë të cilin e krahasoja me Hitlerin.
Por reagimi i BDI-së ishte i menjëhershëm…
Epo populli thotë- kujt i djeg miza le ta mbajë!”, u shpreh Taravari.

Taravari dje ka bërë një postim ku ka shkruar se:

“Lufta e Dytë Botërore mund të kishte mbaruar më herët dhe mund të kishin shpëtuar shumë jetë që u shuan si pasojë e çmendurisë së saj.

Në një kohë kur Hitlerit po fillonte t’i zvogëlohej disi forca ushtarake dhe harta e pushtimeve të tij po niste të rrudhej, një nga komandantët e tij e informon për këto punë dhe i kërkon tërheqje nga lufta sepse po vriten shumë njerëz të pafajshëm, midis tyre shumë fëmijë.
Hitleri e kundërshton kategorikisht duke i thënë se meqë populli na votoi ne, tani le të durojë dhe vdekjet!”.

BDI reagoi menjëherë, duke kërkuar që këtë postim ta fshij dhe të kërkojë falje.

“E pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë. Kryetari i komunës së Gostivarit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, sjell Adolf Hitlerin në politikën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një metafore të papranueshme, skandaloze, të tmerrshme dhe të pakuptimitë e të pa provokuar të shkruar në faqen e tij në Facebook.Taravari paturpësisht citon Hitlerin të ketë thënë: “meqë populli na votoi ne, tani le të durojë dhe vdekjet!”Taravari pa asnje vonesë duhet përulësisht të kërkojë falje të gjitha viktimave, familjeve të tyre, qytetarëve dhe ta fshijë menjëherë postimin e tij në Facebook.Gjithashtu, të gjithë anëtarët dhe udhëheqësia e partisë së tij duhet që menjëherë ta dënojnë këtë akt të papranueshëm dhe të distancohen nga qëndrimi absurd i Taravarit.Kërkojmë edhe nga bota akademike, opinionbërësit, mediat dhe gazetarët, shoqatat joqeveritare ta ngrisin zërin kundër këtij qëndrimi të Arben Taravarit i cili nuk ka vend në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e BDI. (INA)