Ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka komentuar zhvillimet politike pas zgjedhjeve në Bërvenicë, duke vënë në pah mbështetjen e VLEN-it për kandidatin e BDI-së, Arkin Jahiji, në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Në një status në rrjetet sociale, Ibrahimi e cilëson këtë veprim si një virtyt të VLEN-it, duke theksuar se për herë të parë një parti shqiptare në pushtet mbështeti kandidatin e një partie shqiptare në opozitë, në vend të partnerit të saj qeveritar.
Ai këtë e krahason me periudhën 22-vjeçare të qeverisjes së BDI-së, duke sfiduar përfaqësuesit e kësaj partie të gjejnë një rast të ngjashëm.
“Ky është virtyti i lartë i VLEN-it”, shkruan Ibrahimi, ndërsa kritikon BDI-në për mungesën e një falënderimi publik ndaj VLEN-it për mbështetjen e dhënë në Bërvenicë.
“Përkundër kësaj mbështetjeje, nuk u gjet asnjë eksponent i kësaj partie […] që të dalin e ta thonë një ‘Faleminderit’ për VLEN-in”, shkruan ai, duke e cilësuar këtë si “vesin e poshtër të BDI-së”.
Ibrahimi e përmbyll reagimin me shprehjen: “Çfarëdo që të bësh, ia bën vetvetes!”.

