Gjurmë të një vendbanimi rreth 8.000-vjeçar, së bashku me objekte që dëshmojnë për jetën e përditshme të banorëve të tij, po dalin në dritë vetëm disa kilometra larg Shkupit. Gërmimet e fundit arkeologjike në lokalitetin “Ograxhe”, në fshatin Orman, kanë sjellë një varg gjetjesh me rëndësi për njohjen e periudhës së neolitit në rajonin e Shkupit.

Muzeu Arkeologjik Kombëtar në Shkup njoftoi se kërkimet arkeologjike të këtij viti në lokalitet kanë përfunduar me sukses, ndërsa ndër objektet e zbuluara janë figurina me pamje njerëzore dhe shtazore, enë qeramike, vegla prej guri dhe kocke, si dhe mbetje të vatrave të zjarrit dhe gropave për mbeturina. Gjetjet u japin arkeologëve të dhëna të reja për mënyrën se si jetonin dhe organizoheshin komunitetet që popullonin këtë zonë mijëra vjet më parë.

Lexo edhe
Task Force: Arrestohet një 40-vjeçar pranë Qafë Thanës, kapet me rreth një kilogram mar’ihuanë
Veçanërisht interesante konsiderohen figurina me forma njerëzore dhe shtazore. Sipas Muzeut, ato ofrojnë dëshmi për besimet dhe shprehjen artistike të komuniteteve të asaj periudhe. Ndërkohë, enët prej qeramike dhe veglat e punuara nga guri dhe kocka tregojnë për aktivitetet e përditshme të banorëve dhe mënyrën se si organizohej puna në kuzhinat dhe punishtet e vendbanimit. Edhe mbetjet e vatrave të zjarrit dhe gropave të mbeturinave kanë rëndësi për arkeologët, pasi ndihmojnë në rindërtimin e jetës së përditshme dhe funksionimit të vendbanimit neolitik.

sqShqip