Kryetari i partisë „Koncepti Maqedonas“, Petar Bogojevski, ka kërkuar që permendorja serbe Zebrnjak pranë Kumanovës të hidhet në erë me dinamit. Bogojevski ka shkruar: „Koncepti Maqedonas planifikon ta hedhë në erë“!

Shkak për këtë debat është bërë një publikim i influencuesit Bllazhe Arizanov. Ai ka shkruar se, si maqedonas, nuk i intereson se kush i ka fituar zgjedhjet në Serbi, por kur do të hidhet në erë monumenti i Zebrnjakut „me dinamit“, transmeton portali Lideri.mk.
Bogojevski i është përgjigjur duke pretenduar se partia e tij, „Koncepti Maqedonas“, „planifikon ta hedhë në erë“, pas së cilës Arizanov ka reaguar duke thënë se do ta shtypte vetë butonin, vullnetarisht.

Zebrnjaku është një memorial-kosturnicë që ndodhet në kodrën Zebrnjaku, pranë Staro Nagoriçanit, në verilindje të Kumanovës. Ai është ndërtuar në vitin 1937 në kujtim të ushtarëve serbë të vrarë në Betejën e Kumanovës, më 23 dhe 24 tetor 1912.

Monumenti fillimisht kishte një kullë të lartë, por ajo u shkatërrua nga bullgarët në Luftën e Dytë Botërore.

" "

Ditë më parë, Bogojevski reagoi ashpër ndaj përkujtimit të Betejës së Kumanovës në Zebrnjak nga subjekte serbe në Maqedoninë e Veriut dhe nga Serbia. „Koncepti Maqedonas“ vlerësoi se kjo ngjarje përfaqëson glorifikimin e fitores serbe të vitit 1912 dhe të vendosjes së pushtetit serb në Maqedoninë e Vardarit.

Në përplasjen me zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq, Bogojevski paralajmëroi gjithashtu se do të paraqesë kallëzim penal kundër tij për përhapje të urrejtjes kombëtare dhe fyerje, transmeton portali Lideri.mk.

Më herët, Stoilkoviq, duke komentuar sulmet ndaj përkujtimit të betejës, kishte shkruar se pas rezultateve të zgjedhjeve në Serbi, „bullgarët menjëherë janë në ofensivë“.

Bogojevski iu përgjigj duke thënë se, me këtë deklaratë, maqedonasit po paraqiteshin si bullgarë./Lideri

sqShqip