Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, prezantoi raportin për punën e tij gjatë vitit të parë të mandatit, duke paralajmëruar projekte të reja infrastrukturore, ulje të borxheve, përmirësim të transportit publik dhe investime në gjelbërim. Ai tha se Shkupi do të marrë ura të reja në Saraj dhe Novo Lisiçe, ndërsa deri në fund të mandatit qyteti do të ketë edhe rrugën e parë nëntokësore.

Duke folur në konferencën për media në selinë e VMRO-DPMNE-së, Gjorgjievski tha se gjatë vitit të parë të mandatit janë ndërmarrë hapa për stabilizimin financiar të qytetit dhe realizimin e projekteve që, sipas tij, kishin mbetur të bllokuara për vite me radhë.

Ulje e borxheve të Qytetit të Shkupit

Gjorgjievski deklaroi se, pavarësisht borxhit të trashëguar prej afro 300 milionë eurosh, Qyteti i Shkupit ka arritur të përmirësojë gjendjen financiare.

" "

Sipas tij, detyrimet aktuale të qytetit janë ulur për 322,1 milionë denarë, ndërsa detyrimet shtesë që lidhen me kreditë, shpronësimet e papaguara, proceset gjyqësore të humbura, subvencionet dhe aktivitetet programore janë ulur për 743 milionë denarë.

Ai theksoi se janë zvogëluar edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike të qytetit, për rreth 75 milionë euro, transmeton portali Lideri.mk.

Ndërmarrja „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ ka ulur detyrimet për 1,66 miliardë denarë, Ndërmarrja e Transportit Publik – JSP për 634 milionë denarë, „Higjiena Komunale“ për 122 milionë denarë, „Parqe dhe Gjelbërim“ për 114 milionë denarë, „Parkingjet e Qytetit“ për 53 milionë denarë, ndërsa „Rrugët dhe Rrugicat“ për 32 milionë denarë.

Sipas Gjorgjievskit, Muzeu i Qytetit të Shkupit, i cili vitin e kaluar kishte borxhe të konsiderueshme dhe ishte pa energji elektrike, tashmë nuk ka detyrime financiare. Edhe disa institucione të tjera kulturore kanë shlyer borxhet ose kanë arritur t’i zvogëlojnë ato.

Projekte të reja infrastrukturore dhe bulevarde

Kryetari i Shkupit njoftoi se ndërtimi i bulevardit „Boris Trajkovski“, në komunën e Kisella Vodës, po hyn në fazën përfundimtare.

Sipas tij, deri në fund të këtij viti, rreth 100 mijë qytetarë do të mund të shfrytëzojnë një bulevard të zgjeruar, modern dhe më të sigurt, pas më shumë se 30 vjetësh pritjeje.

Po ashtu, po përfundon ndërtimi i nyjës së ndërlikuar rrugore në Momin Potok, ndërsa po punohet edhe për vënien në funksion të bulevardit „Maqedonia“, ku parashihet ndërtimi i rrugës së parë nëntokësore në Shkup.

Në komunën e Karposhit po ndërtohet ura e re mbi lumin Vardar, e cila do të lidhë rrugën „Lubjanска“ me rrugën „Skupi“. Përfundimi i saj është paraparë deri në fund të vitit.

Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se po pastrohet traseja e bulevardit „ASNOM“, nëpër lagjen Qeramidnica, me qëllim që të vihet në funksion ura „Gjeneral Mihajlo Apostollski“.

Ndër projektet e tjera që janë duke u realizuar përmendi:

– Zgjerimin dhe rindërtimin e rrugës „Pеро Nakov“ në Gazi Babë.
– Rindërtimin e rrugës „Franjo Kluz“ në Aerodrom.
– Rindërtimin e rrugës 101 në Gjorçe Petrov, përkatësisht në Volkovo.
– Ndërtimin e bulevardit „Brigada Maqedono-Kosovare“ në Çair.
– Rindërtimin e rrugëve „Butelska“ dhe „Radishanska“ në Butel.
– Rindërtimin e rrugës „Lazo Trpovski“ në Çair.
– Rindërtimin e rrugës „Lazar Pop Trajkov“ në Autokomandë.

Gjithashtu, po përgatitet dokumentacioni për ndërtimin e dy garazheve shumëkatëshe me mbi 500 vende parkimi në Qendrën Klinike.

Ura të reja në Saraj dhe Novo Lisiçe

Gjorgjievski paralajmëroi edhe disa projekte të reja kapitale, të cilat synojnë të përmirësojnë lidhjet mes lagjeve të Shkupit.

Në përgatitje është projekti për ndërtimin e një ure dhe të një rruge që do të lidhin Gjorçe Petrovin me Sarajin, duke krijuar një hyrje të re në qytet.

Gjithashtu, po punohet për projektin e bulevardit „Hasan Prishtina“ dhe për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Vardar, e cila do të lidhë Novo Lisiçen me Maxharin.

Kryetari i Shkupit tha se po përgatitet dokumentacioni edhe për ndërtimin e dy rrethrrotullimeve që do të shërbejnë për rrugën nëntokësore prapa Stacionit të Vjetër Hekurudhor.

Ai u shpreh i bindur se deri në fund të mandatit të tij, Shkupi do ta ketë rrugën e parë nëntokësore, ndërsa vitin e ardhshëm qyteti mund ta rikthejë edhe kinemanë „Millenium“.

Ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza

Sipas Gjorgjievskit, ndërtimi i stacionit të ri për trajtimin e ujërave të zeza në Trubarevë po zhvillohet me intensitet të shtuar dhe deri tani është realizuar rreth 40 për qind e projektit.

Ai e cilësoi këtë si një nga projektet më të mëdha ekologjike në Maqedoninë e Veriut, i cili përfshin ndërtimin e rreth 60 objekteve dhe pritet të kontribuojë në mbrojtjen e lumit Vardar, mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.

Rrjet të ri të ujësjellësit kanë fituar edhe banorët e Nerezit, Bel Kamenit dhe Gorno Lisiçes.

Ndërkohë, sipas kryetarit të Shkupit, janë rinovuar shatërvani në sheshin „Maqedonia“, shatërvanët „Lulja e Lotusit“, „Luftëtari mbi kalë“, „Olimpia“ dhe „Luftëtarët e Rënë“. Është restauruar edhe monumenti i fëmijëve refugjatë në Parkun „Gruaja Luftëtare“, ndërsa është ndezur sërish edhe Flaka e Përjetshme.

Është rindërtuar plotësisht edhe mbikalimi „Estakada“ në Gazi Babë, si dhe rruga drejt Gorno Orizarit në Shuto Orizarë.

Transport publik me autobusë të rinj dhe BRT

Gjorgjievski tha se Shkupi është pranë realizimit të projektit për transportin e shpejtë me autobusë, të njohur si BRT.

Sipas tij, projekti është ndryshuar në mënyrë që të mos pritet gjelbërimi ekzistues përgjatë bulevardeve. Autobusët do të qarkullojnë në korsitë e skajshme të rrugëve, ndërsa do të mbillen edhe bimë të reja për të krijuar një barrierë natyrore ndërmjet korsisë së BRT-së dhe trafikut tjetër.

Ai theksoi se treni urban, i cili nga 1 shtatori qarkullon në relacionin Zelenikovë–Shkup, ofron udhëtim më të sigurt dhe më të shpejtë, si dhe kursim financiar për qytetarët.

Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, Ndërmarrja e Transportit Publik ka kursyer gjysmë milioni euro për karburant, ndërsa në qarkullim janë përfshirë edhe 50 autobusë të riparuar.

Gjorgjievski njoftoi se është përfunduar prokurimi për 100 autobusë të rinj ekologjikë, të cilët do të përfshihen në transportin publik pas dorëzimit.

Investime në ekologji dhe gjelbërim

Kryetari i Shkupit njoftoi se në qytet po krijohen rreth 200 mijë metra katrorë sipërfaqe të reja të gjelbra, përmes parqeve të mëdha dhe korridoreve të gjelbra.

Parqe të reja po planifikohen në Butel, përgjatë lumit Vardar në Saraj, pranë stacionit të fundit të autobusit numër 5 në Novo Lisiçe dhe përgjatë shtratit të Vardarit në Karposh.

Ai paralajmëroi gjithashtu një aksion të madh vjeshtor për mbjelljen e më shumë se 6.000 drunjve në parqe dhe hapësira publike.

Një nga projektet më të rëndësishme është shndërrimi i deponisë „Vardarishtë“ në një park modern me sipërfaqe prej rreth 600 mijë metrash katrorë.

Gjorgjievski tha se po vazhdojnë kontrollet e shtuara ndaj kapaciteteve industriale për ndotjen e ajrit, ndërsa në pikat problematike ku krijohen deponi ilegale pritet të vendoset sistem i mbikëqyrjes me kamera.

Ai theksoi se qyteti ka pranuar dërgesën e parë nga gjithsej 3.300 kontejnerë të rinj, në kuadër të furnizimit më të madh të këtij lloji gjatë dekadave të fundit.

Investime në arsim, sport dhe mbrojtje sociale

Sipas Gjorgjievskit, shkollat e mesme të Shkupit janë pajisur me kabinete moderne të matematikës dhe fizikës, laboratorë të kimisë dhe biologjisë, pajisje mësimore, tabela inteligjente, mobilie të reja dhe pajisje sportive.

Gjithashtu, po punohet që dy shkolla të pajisen me pompa termike për ngrohje, ndërsa katër shkolla të tjera të marrin panele fotovoltaike.

Për herë të parë, qyteti ka siguruar laptopë për nxënësit më të mirë të gjeneratës, kamp edukativ veror për nxënësit e shkollave të mesme dhe shpërblime për nxënësit me rezultate të jashtëzakonshme në arsim dhe sport.

Në fushën e sportit, janë rinovuar terrenet në bregun e Vardarit, ndërsa është modernizuar edhe salla sportive „Rasadnik“.

Gjorgjievski njoftoi gjithashtu hapjen e një qendre për strehimin dhe ndihmën e viktimave të dhunës në familje, një qendre ditore për personat me aftësi të kufizuara mbi moshën 14-vjeçare, një qendre për mbështetjen e personave me diabet dhe një qendre për personat me paralizë cerebrale.

Sipas tij, Qyteti i Shkupit ka siguruar ndihmë financiare për më shumë se 1.500 pacientë onkologjikë.

Shkupi ruan titullin „Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“

Gjorgjievski bëri të ditur se Shkupi e ka ruajtur zyrtarisht titullin „Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“, pas bisedimeve të zhvilluara në Bruksel.

Ai tha se po vazhdon ndërtimi i Sallës Universale, ndërsa është duke u zhvilluar edhe procesi i rregullimit dhe rivitalizimit të hapësirës së Kalasë së Shkupit.

Sipas tij, Ura e Gurit së shpejti do të pajiset me ndriçim dekorativ dhe arkitekturor, ndërsa qyteti ka rikthyer mbështetjen për manifestimin tradicional „Vera e Shkupit“.

Qendër e re zjarrfikëse në Aerodrom

Kryetari i Shkupit njoftoi se janë siguruar mjete për ndërtimin e një stacioni të ri zjarrfikës për Brigadën e Mbrojtjes Kundër Zjarrit, në komunën e Aerodromit, pranë Qendrës së Shëndetit Publik.

Sipas tij, stacioni i ri do të mundësojë reagim më të shpejtë në rast zjarresh dhe ndërhyrjesh teknike, si dhe mbrojtje më efikase të qytetarëve.

Gjithashtu, brigada është pajisur me një automjet të ri të specializuar për shuarjen e zjarreve dhe është përforcuar me personel të ri.

Në përfundim të raportit, Gjorgjievski tha se do të vazhdojë realizimin e projekteve të premtuara dhe se synimi është që ndryshimet të ndihen në të gjitha lagjet e Shkupit.

Ai theksoi se, me mbështetjen e Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, qytetin e pret një periudhë e re zhvillimi, me rrugë dhe bulevarde të reja, parqe, transport publik më të mirë dhe hapësira publike më të rregulluara./Lideri

sqShqip