Qeveria Kovaçevski pritet të nisë me punë më 17 janar
Kryetari i ri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, informon se e ka marrë besimin e Këshillit Qendror të partisë, për të qenë mandatar për formimin e Qeverisë së re. Kovaçevski në Facebook shkruan se është i gatshëm për ta pranuar këtë sfidë dhe të punojë për ta arsyetuar besimin.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, MANDATAR PËR KRYEMINISTËR
“Në periudhën në vijim LSDM do të ndryshojë dhe do të përmirësohet në çdo segment të punës dhe veprimtarisë së saj. LSDM do të riorganizohet, do të vazhdojë të demokratizohet dhe të krijojë dhe mbështesë kuadro të reja. Të mbështetet dhe të përfshijë njerëz që do të karakterizohen nga dija, ndershmëria dhe përkushtimi ndaj vlerave socialdemokratike”.
Ndërkaq, pasi Kuvendi e konfirmoi dorëheqjen e Zaevit të enjten e kaluar, në rrjedhë është afati prej dhjetë ditësh në të cilin presidenti Stevo Pendarovski duhet t’i besojë mandatin për formimin e qeverisë së re.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se nesër, të mërkurën është Dita D kur do t’i ndahet mandati mandatarit të ri, kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Duke e elaboruar tërë procedurën për zgjedhje të qeverisë së re, Xhaferi vlerëson se më 17 janar të vitit 2022 qeveria do të votohet në Kuvend.
“Sipas informatave të para, nesër duhet të jetë Dita D për ndarjen e mandatit mandatarit të ri, i cili tanimë u përcaktua, ai është kryetari i LSDM-së. Nga momenti me ndarjen e mandatit, presidenti i shtetit sipas nenit 210 nga Rregullorja duhet ta njoftojë kryetarin e Kuvendit për ndarjen e mandatit, që të fillojnë afatet në Kuvend, të numërohen afatet. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga marrja e mandatit duhet të dalë para Kuvendit me propozim përbërje personale të qeverisë së re dhe program për punën e qeverisë”.
Xhaferi shpreson se mandatari nuk do të shkojë në afatet e fundit, duke marrë parasysh, siç tha, të gjitha negocimet që janë bërë paraprakisht dhe të gjitha ato paralajmërime lidhur me zgjidhjet eventuale individuale, të cilat janë përhapur në opinion.
Talat Xhaferi
“Pritshmëritë e mia janë se mandatari nuk do të shkojë deri në afatet e fundit, kështu që ka paralajmërime dhe mundësi që diku më 10 Janar eventualisht më 11 Janar të dorëzohet programi dhe përbërja e Qeverisë së re. Pritshmëritë, në bazë të asaj që ndjek kalendarin, janë datat 15 dhe 16 janar – ditë e shtunë dhe e diel dhe më 16 janar të votohet Qeveria e re kurse nga 17 janari Ministrat e rinj të jenë në detyrë”
Edhe Kovaçevski ka paralajmëruar formimin e qeverisë së re në mesin e muajit të ardhshëm, më së voni deri më 18 janar. Që të zgjidhet Qeveria e re, duhet të votojnë së paku 61 deputetë. Shumica e re parlamentare që udhëhiqet nga LSDM-ja, bashkë me BDI-në, Alternativën dhe PDSH-në, kanë 64 deputetë në Kuvend.