VMRO-DPMNE ka ashpërsuar kritikat ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se partinë opozitare e ka sjellë në një nga pozitat më të dobëta politike dhe se rezultatet e dobëta zgjedhore po përpiqet t’i paraqesë si sukses. Nga partia në pushtet thonë se LSDM-ja, nën drejtimin e Filipçes, ka rënë në nivelin e 5 për qind të mbështetjes dhe tashmë po kërkon ngushëllim te vendi i katërt në renditjen politike.

Në një kumtesë për opinionin, VMRO-DPMNE thekson se rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bërvenicë dëshmojnë dobësimin e LSDM-së, ndërsa akuzon udhëheqjen e saj se po feston edhe pas humbjeve përballë partisë në pushtet. “Filipçe dhe LSDM-ja po përpiqen të gjejnë ngushëllim te renditja në vendin e katërt. LSDM-ja me Filipçen ka rënë në një rejting prej 5 për qind dhe po i gëzohet humbjes me rezultat 4 me 1 nga VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale në Bërvenicë”, thuhet në kumtesë.

Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se opozita maqedonase ka pësuar një debakël politik, duke pretenduar se rezultatet në disa komuna tregojnë se LSDM-ja nuk po arrin të rikthejë besimin e qytetarëve. “LSDM-ja nën udhëheqjen e Filipçes ka përjetuar debakël politik. LSDM-ja me Filipçen është partia e katërt në Kumanovë dhe Bërvenicë, ndërsa e pesta në Shkup”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Sipas partisë në pushtet, këto rezultate janë dëshmi e mungesës së vizionit politik dhe e pamundësisë së LSDM-së për t’u imponuar si alternativë serioze ndaj qeverisjes aktuale. “Shifrat dhe faktet janë treguesi më i mirë i gjendjes në të cilën ndodhet LSDM-ja, e cila, me Filipçen në krye, është shndërruar në një parti pa vizion politik, pa ofertë bindëse dhe pa kapacitet për t’u imponuar si alternativë serioze mes qytetarëve”, thuhet më tej në reagim.

" "

VMRO-DPMNE nuk i ka kursyer as akuzat për ndikimin e ish-kryeministrit Zoran Zaev mbi udhëheqjen aktuale të LSDM-së, duke pretenduar se Filipçe vazhdon të veprojë nën mentorimin e tij. “Filipçe, nën mentorimin e Zaevit, e ka shndërruar LSDM-në në një parti që u gëzohet humbjeve”, thuhet në kumtesë.

Në fund, VMRO-DPMNE përdor edhe ironi ndaj rezultateve të opozitës, duke i cilësuar si “suksese” renditjet e saj në vendet e katërta dhe të pesta. “Filipçes dhe LSDM-së u dëshirojmë edhe shumë ‘suksese’ të këtilla: vende të katërta dhe të pesta, festim të humbjeve dhe mbështetje gjithnjë e më të vogël nga qytetarët”, përfundon kumtesa e VMRO-DPMNE-së.

sqShqip