Në Institutin e Shëndetit Publik, i cili është një nga pikat e imunizimit kundër gripit sezonal, mëngjesin e sotëm mes qytetarëve që morën vaksinën ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

“Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më e mirë dhe më efikase për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Pikërisht për këtë arsye, sot me shembull personal tregova rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit në kohën e duhur, veçanërisht te grupet e rrezikuara të popullsisë. Vaksinimi parandalon në mënyrë të dëshmuar shfaqjen e formave më të rënda, komplikimeve dhe pasojave fatale nga kjo sëmundje. Është inkurajuese që për vetëm një javë mbi 55.000 qytetarë janë regjistruar për vaksinim. Sot filloi vaksinimi në të gjitha pikat në mbarë vendin, prandaj apeloj që qytetarët nga grupet e rrezikuara, nëse ende nuk janë regjistruar për vaksinim falas në faqen vakcinacija.mk, ta bëjnë këtë sa më shpejt”, theksoi ministri Klekovski.

Nga 14 tetori, kur u hap formulari për regjistrim, deri më sot për vaksinimin falas kundër gripit sezonal janë regjistruar 55.535 qytetarë. Mbi 60 për qind e të regjistruarve janë persona mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa rreth një e treta janë qytetarë me sëmundje kronike.

Regjistrime janë evidentuar në të gjitha 31 pikat e vaksinimit në mbarë vendin, ndërsa numri më i madh i qytetarëve është regjistruar në Shkup, Manastir, Prilep, Strumicë dhe Tetovë. Vaksinimi filloi sot në mëngjes, ndërsa deri në mesditë janë vaksinuar 368 qytetarë.

" "

Qytetarët e interesuar nga grupet e rrezikuara mund të regjistrohen për vaksinim falas kundër gripit sezonal në linkun e mëposhtëm:
https://vakcinacija.mk/mk/registration-flu
Me plotësimin e formularit në këtë faqe, qytetarët regjistrohen për vaksinim drejtpërdrejt në sistemin “Termini Im”. Më pas, sipas orarit të paraparë në planin e vaksinimit, ata do të marrin një mesazh SMS me informacione për datën dhe orën e saktë kur duhet të vaksinohen në pikën që do ta zgjedhin gjatë regjistrimit.

Vaksinimi falas kundër gripit sezonal është i dedikuar për këto grupe të rrezikuara:
• Persona mbi moshën 65 vjeç;
• Persona me sëmundje kronike;
• Punonjës shëndetësorë;
• Gra shtatzëna;
• Fëmijë nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeç. përcjell Zhurnal.mk .

sqShqip