Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në emrin e tij personal, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe organeve të saj, të drejtorisë së SHAM Medreseja “Isa Beu”, në krye me drejtorin e përgjithshëm, Dr. Islam Islami, si dhe në emër të besimtarëve të këtij nënqielli, shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e tij të sinqerta për kryetarin e Komunës së Sarajit, z. Muhamed Elmazi, për angazhimin dhe kontributin e tij në përmbushjen e kërkesës dhe nevojave të Medresesë “Isa Beu”, përmes dhënies së lejes për ndërtimin e sallës së re sportive.

Dhënia e kësaj lejeje përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve infrastrukturore dhe avancimit të standardeve bashkëkohore të edukimit dhe arsimimit në Medresenë “Isa Beu”. Ndërtimi i sallës së re sportive do t’u mundësojë nxënësve që, krahas përkushtimit ndaj dijes, edukimit fetar dhe zhvillimit intelektual e profesional, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe shëndetit, aktivitetit fizik dhe zhvillimit të tyre trupor.

Edukimi cilësor dhe formimi i gjithanshëm i të rinjve nuk kufizohen vetëm në përvetësimin e njohurive akademike, por përfshijnë edhe kultivimin e shprehive të shëndetshme, disiplinës, frymës së bashkëpunimit dhe përgjegjësisë. Në këtë drejtim, salla e re sportive do të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative, duke kontribuar në formimin e një brezi të shëndoshë, të përgatitur dhe të përgjegjshëm.

Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm në të ardhmen e nxënësve të Medresesë “Isa Beu” dhe në përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira për arsimim dhe edukim. Njëkohësisht, ai dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organeve të pushtetit lokal në realizimin e projekteve që i shërbejnë arsimit, rinisë dhe interesit të përgjithshëm shoqëror.

" "

Lusim Zotin e Plotfuqishëm që ky vendim të jetë në hajr dhe i dobishëm jo vetëm për nxënësit e Medresesë “Isa Beu”, por edhe për institucionin në tërësi dhe për mbarë shoqërinë. E lusim Allahun Fuqiplotë që ta shpërblejë me të mira kryetarin e Komunës së Sarajit, z. Muhamed Elmazi, si dhe të gjithë ata që kontribuojnë në realizimin e këtij projekti, duke bërë që kjo nismë të kurorëzohet me sukses dhe të shndërrohet në një vepër të dobishme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Bashkësia Fetare Islame e RMV-së me këtë investim mbetet të përkushtuara në ngritjen e Medresesë Isa Beu në avancimin e kushteve arsimore dhe edukative, me synimin që nxënësve t’u ofrohet një mjedis sa më i përshtatshëm për formim të gjithanshëm, në frymën e dijes, edukatës, përgjegjësisë dhe vlerave njerëzore.

sqShqip