Një nga pasojat e mundshme të përdorimit të zgjatur të telefonit është çrregullimi i rutinës së gjumit. Qëndrimi para ekranit deri në orët e vona mund ta shtyjë kohën e fjetjes dhe të pengojë relaksimin
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 tetor – Në ditët e sotme, përdorimi i telefonave celularë nuk është më karakteristikë vetëm e të rinjve. Gjithnjë e më shumë, edhe personat e moshuar, përfshirë gjyshërit dhe gjyshet, kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës duke përdorur telefonat inteligjentë, rrjetet sociale, videot dhe përmbajtje të ndryshme digjitale. Edhe pse teknologjia mundëson komunikim më të lehtë me familjarët, informim dhe argëtim, përdorimi i tepruar mund të ndikojë negativisht në disa aspekte të shëndetit dhe të cilësisë së jetës në moshën e tretë.
Me kalimin e moshës, ruajtja e funksioneve njohëse, si vëmendja, përqendrimi dhe kujtesa, bëhet veçanërisht e rëndësishme. Kalimi i shumë orëve para ekranit, shfletimi i vazhdueshëm i përmbajtjeve dhe ekspozimi ndaj informacioneve të shumta mund ta shpërqendrojnë individin dhe të zvogëlojnë kohën që i kushtohet aktiviteteve stimuluese për trurin.
Për këtë dukuri dhe ndikimin e saj te personat e moshuar biseduam me Mr. Sci. Admir Kosovratsi, specialist i psikologjisë mjekësore. Ai thekson se përdorimi i tepruar i telefonit mund të ndikojë në mënyrën se si personat e moshuar e ruajnë përqendrimin dhe informacionin e ri. “Kur përdorimi i telefonit zëvendëson leximin, bisedat, lojërat mendore dhe aktivitetet e përditshme, mund të krijohen më pak mundësi për stimulim të vazhdueshëm njohës. Gjithashtu, shpërqendrimi mund ta vështirësojë përqendrimin në informacionin e ri dhe, rrjedhimisht, procesin e mbajtjes mend të tij. Megjithatë, nuk duhet të supozohet se përdorimi i telefonit shkakton drejtpërdrejt dëmtim të kujtesës ose demencë. Ndryshimet në kujtesë mund të lidhen me shumë faktorë, prandaj është e rëndësishme që shqetësimet e vazhdueshme të vlerësohen nga profesionistët shëndetësorë”, thotë Kosovratsi.
Ai shton se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të ndikojë edhe në gjendjen emocionale të personave të moshuar. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj lajmeve negative, informacioneve shqetësuese dhe përmbajtjeve që nxisin frikë mund të rrisë tensionin psikologjik dhe ndjenjën e pasigurisë.
Te personat që përjetojnë vetmi ose kanë kontakte të kufizuara shoqërore, telefoni mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm komunikimi. Megjithatë, nëse komunikimi virtual zëvendëson kontaktet e drejtpërdrejta, ai nuk i plotëson gjithmonë nevojat emocionale që lidhen me praninë, afërsinë dhe mbështetjen njerëzore.
Ameti është 74 vjeç dhe jeton së bashku me bashkëshorten, ndërsa të tre fëmijët i ka në mërgim. Ai thotë se jeta pa telefon dhe rrjete sociale duket e vështirë, pasi është mësuar me përdorimin e tyre të përditshëm. “Shumë orë kaloj me telefonin në dorë. Flas me fëmijët, nipërit dhe mbesat, por edhe shfletoj rrjetet sociale. E di se më pengon në aktivitetet e përditshme dhe më largon nga ecja, por kam filluar të varem nga interneti”, thotë Ameti.
Përdorimi i pakontrolluar i telefonit mund të bëhet shqetësues kur zvogëlon interesimin për aktivitete të tjera ose shoqërohet me shqetësime emocionale dhe izolim social. Një nga pasojat e mundshme të përdorimit të zgjatur të telefonit është çrregullimi i rutinës së gjumit. Qëndrimi para ekranit deri në orët e vona mund ta shtyjë kohën e fjetjes dhe të pengojë relaksimin. Gjumi i pamjaftueshëm mund të kontribuojë në lodhje, nervozizëm, vështirësi në përqendrim dhe dobësim të përkohshëm të kujtesës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndikimi i telefonit në komunikimin brenda familjes. Edhe kur gjyshërit jetojnë me familjarët e tyre, përdorimi i vazhdueshëm i telefonit mund të zvogëlojë kohën e kaluar në biseda dhe aktivitete të përbashkëta.
Në një prononcim për gazetën KOHA, specialisti i psikologjisë mjekësore, Admir Kosovratsi, thekson rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta për mirëqenien emocionale të personave të moshuar. “Kontakti me nipërit, mbesat, fëmijët dhe miqtë është i rëndësishëm për ruajtjen e ndjenjës së përkatësisë dhe mirëqenies emocionale. Prandaj, teknologjia duhet të përdoret si mjet për të forcuar marrëdhëniet, jo për të zëvendësuar plotësisht ndërveprimin e drejtpërdrejtë”, thotë Kosovratsi.
Ai nënvizon se përdorimi i telefonave celularë te personat e moshuar nuk është në vetvete i dëmshëm, pasi mund të lehtësojë komunikimin, të zvogëlojë distancën nga familjarët dhe të ofrojë mundësi për informim dhe argëtim. Problemi shfaqet kur përdorimi bëhet i tepruar dhe fillon të ndikojë në gjumë, aktivitetin fizik, përqendrimin dhe marrëdhëniet shoqërore. “Në moshën e tretë, kujdesi për shëndetin nuk nënkupton vetëm trajtimin e sëmundjeve, por edhe ruajtjen e funksioneve njohëse, mirëqenies emocionale dhe pjesëmarrjes aktive në jetën familjare e shoqërore. Për këtë arsye, përdorimi i moderuar dhe i vetëdijshëm i telefonit, së bashku me një stil jetese aktiv dhe kontakte të rregullta njerëzore, është një qasje e rëndësishme për të mbështetur cilësinë e jetës së personave të moshuar”, përfundon Kosovratsi. (koha.mk)

