Beqir SINA – New York
Në ditën e pestë të protestave studentore në Tiranë, dy mesazhe të qarta erdhën nga Uashingtoni: deklaratat e tre kongresmenëve republikanë dhe reagimi i Ambasadës së SHBA-së.
Të dyja theksojnë se rrënja e zemërimit është korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, ndërsa kërkojnë respekt për të drejtën e protestës paqësore dhe përmbajtje nga të gjitha palët.
Kongresmeni Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Europën, shkoi më larg se të tjerët.
Ai e quajti protestën “kulmin e mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe të lodhjes nga shpërfillja totale e shtetit të së drejtës”.
Sipas tij, udhëheqësit shqiptarë duhet të dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore që do të sjellin mundësi ekonomike dhe stabilitet rajonal. Mesazhi i tij lidh drejtpërdrejt zemërimin e rinisë me dështimin e sistemit, jo thjesht me incidentet e ditëve të fundit.
Në të njëjtën linjë, kongresmeni Joe Wilson theksoi se po ndjek me shqetësim thellë krizën në një vend aleat të NATO-s.
“Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në të ardhmen e vendit,” shkroi ai.
Robert Aderholt shtoi se është thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i trazirave. Ai kërkoi që të gjitha palët të refuzojnë dhunën dhe që qeveria të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë, duke nënvizuar se të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zë në formësimin e së ardhmes së vendit.
Këto tre deklarata, të shpallura brenda pak orësh, përbëjnë një presion të qartë politik. Ato nuk kufizohen në thirrje për qetësi, por identifikojnë shkakun: korrupsionin dhe mungesën e sundimit të ligjit.
Studentët kanë dalë në rrugë kryesisht për kostot e arsimit dhe mungesën e vendeve të punës, por mesazhi i kongresmenëve e vendos këtë revoltë në kontekstin më të gjerë të lodhjes së qytetarëve me kastën politike.
Në të njëjtën ditë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë, publikoi një deklaratë të balancuar, por të fortë: “Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.”
Ambasada nuk hyri në shkaqet politike, por vuri theksin te mënyra: protesta e lirë, por pa dhunë nga asnjëra anë.
Kombinimi i dy mesazheve është i rëndësishëm.
Kongresmenët flasin për shkakun thelbësor – korrupsionin dhe dështimin e institucioneve – dhe kërkojnë ndryshime reale. Ambasada kujton kufijtë e protestës demokratike dhe përgjegjësinë e të dyja palëve.
Në një moment kur protestat kanë hyrë në ditën e pestë dhe tensioni mbetet i lartë, këto reagime nga Uashingtoni rrisin presionin ndërkombëtar mbi qeverinë dhe u japin zë studentëve që kërkojnë një shtet të besueshëm dhe largimin e Ramës.
Përfundimi është i thjeshtë: Uashingtoni dëgjoi thirrjen e rinisë shqiptare. Tani mbetet që Tiranë të dëgjojë gjithashtu – jo me dhunë, por me përgjigje politike reale.

