Studenti nga Maqedonia e Veriut, Yll Rustemi, ka ngritur si çështje mungesën e mbështetjes nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për studentët që po protestojnë në Shqipëri.

Rustemi, një nga inicuesit e kërkesës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, vlerëson se solidariteti studentor duhet të jetë i ndërsjellë, duke kujtuar mbështetjen që studentët nga Shqipëria u dhanë kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka rikujtuar edhe mbështetjen e tij për protestën në Shkup, duke shtruar pyetjen pse organizatorët e asaj proteste nuk po tregojnë të njëjtën përkrahje për kolegët e tyre në Shqipëri.

“Nëse kërkojmë mbështetje kur luftojmë për të drejtat tona, duhet të jemi të gatshëm ta ofrojmë atë edhe kur të tjerët kanë nevojë për ne”, thekson Rustemi.

" "

Sipas tij, solidariteti nuk duhet të varet nga kufijtë shtetërorë apo interesat e momentit, ndërsa studentët nga Shqipëria që mbështetën kauzën për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe meritojnë përkrahje edhe në kërkesat e tyre.

“Një komb, një gjuhë, solidaritet pa kufij dhe pa interesa të momentit!”, përfundon mesazhi i Rustemit.

sqShqip