Shtëpia e Bardhë ka nisur hetimet për akuzat ndaj Richard Grenell, një prej aleatëve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili dyshohet se nuk ka depozituar një donacion prej 5.6 milionë dollarësh për Qendrën Kennedy në Uashington, gjatë kohës që drejtonte institucionin e arteve.
Grenell, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së dhe aktualisht i dërguari presidencial për misione speciale, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde”.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, çështja lidhet me një donacion të premtuar nga biznesmeni turk Turhan Mildon, bashkëshorti i Alina Habba, një avokate e njohur dhe aleate e Trump. Habba u takua me presidentin amerikan më 9 tetor për ta informuar mbi dyshimet se një pjesë e parave të premtuara për Qendrën Kennedy nuk kishin mbërritur në institucion, siç ishte planifikuar.
Donacioni prej 5.6 milionë dollarësh raportohet se ishte pjesë e një pagese më të madhe prej 17.6 milionë dollarësh. Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Habba pretendoi se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin zbuluar së fundmi se paratë nuk ishin transferuar në destinacionin e parashikuar.
Një zyrtar i administratës amerikane konfirmoi se këshilli ligjor i Shtëpisë së Bardhë kishte kërkuar dokumente dhe prova për çështjen, por deri në atë moment nuk kishte marrë asnjë material.
Ndërkohë, Lisa Dale, e cila në atë kohë merrej me financat e Qendrës Kennedy, i tha Axios se i vetmi dokument financiar që kishte lidhje me Mildon tregonte një detyrim prej 270 mijë dollarësh. Sipas raportimit, kjo shumë i ishte paguar qendrës më 13 tetor.
Grenell ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se nuk kishte kërkuar kurrë që para të dërgoheshin diku tjetër në emër të Qendrës Kennedy dhe se nuk kishte marrë asnjë pagesë nga biznesmeni.
Çështja vjen në një periudhë kur financat dhe drejtimi i Qendrës Kennedy janë kthyer në objekt debatesh të forta në SHBA. Në shkurt të vitit 2025, Trump ndërhyri në drejtimin e institucionit, duke shkarkuar anëtarët e bordit dhe duke i zëvendësuar me aleatët e tij. Grenell drejtoi përkohësisht qendrën nga shkurti 2025 deri në mars 2026.
Sipas raportimeve, shitjet e biletave dhe donacionet kanë rënë që prej përfshirjes së Trump në drejtimin e institucionit, ndërsa situata është përkeqësuar pas mbylljes së tij në shtator.
Presidenti amerikan e ka justifikuar mbylljen me nevojën për të garantuar sigurinë e ndërtesës dhe për të kryer riparime urgjente.
Qendra Kennedy është përfshirë gjithashtu në një betejë ligjore për vendosjen e emrit të Trump në ndërtesë. Në dhjetor 2025, presidenti vendosi emrin e tij me shkronja bronzi në fasadën e institucionit, i cili u krijua si memorial për ish-presidentin John F. Kennedy. Në maj të vitit 2026, një gjykatës federal urdhëroi heqjen e shkronjave, ndërsa pjesa përkatëse e ndërtesës është mbuluar që atëherë.
Më vonë, Trump kërcënoi se do ta shembte tërësisht ndërtesën, duke e çuar më tej përplasjen rreth së ardhmes së institucionit.
Hetimi për donacionin e dyshuar të padeklaruar pritet të shtojë presionin mbi drejtimin e mëparshëm të Qendrës Kennedy, ndërsa Grenell vazhdon të mohojë akuzat ndaj tij.

