Procesi i bllokuar i integrimit evropian ka rikthyer në Parlament debatin për përgjegjësinë politike dhe rrugën që duhet të ndjekë Maqedonia e Veriut drejt Bashkimit Evropian. Pas më shumë se dy dekadash me statusin e vendit kandidat, pushteti dhe opozita vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën e tejkalimit të ngërçit me Bullgarinë. Në seancën për pyetje deputetësh, deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski një strategji konkrete dhe afate të qarta për zhbllokimin e negociatave, duke e akuzuar Qeverinë për mungesë rezultatesh. Nga ana tjetër, Mickoski ia atribuoi përgjegjësinë për situatën aktuale qeverisjes së mëparshme LSDM-BDI, ndërsa shprehu gatishmëri që përfaqësues të opozitës të përfshihen drejtpërdrejt në dialogun me Sofjen.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit diplomatike, Pasholli vlerësoi se mesazhet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe takimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, me homologen bullgare në Sofje, nuk kanë sjellë ndonjë përparim konkret drejt tejkalimit të dallimeve mes dy vendeve. Ajo rikujtoi se Maqedonia e Veriut e fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005 dhe se konferenca e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian u mbajt në vitin 2022, por deri në tetor të vitit 2026 vendi ende nuk ka arritur të hapë efektivisht grupkapitullin e parë të negociatave.
“Duhet të kemi guximin politik dhe përgjegjësinë institucionale të shtrojmë disa pyetje thelbësore: ku ndodhemi realisht në procesin e integrimit evropian, çfarë kemi arritur dhe çfarë na pengon që të avancojmë, dhe mbi të gjitha, a ekziston një strategji konkrete për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhemi”, deklaroi Pasholli. Deputetja e BDI-së kërkoi të dijë nëse Qeveria ka siguruar garanci nga institucionet evropiane ose nga pala bullgare për ndryshimin e situatës aktuale dhe, në mungesë të tyre, mbi çfarë pritshmërish mbështetet strategjia qeveritare.
“Cila është strategjia juaj konkrete për zhbllokimin e negociatave me BE-në? A keni siguruar ndonjë garanci nga institucionet evropiane ose nga pala bullgare që do të mundësonte ndryshimin e gjendjes aktuale? Nëse jo, mbi cilat pritshmëri reale mbështetet vazhdimi i strategjisë suaj dhe cili është afati kohor brenda të cilit parashikohet që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapin e radhës në procesin negociues?”, pyeti Pasholli. Ajo kërkoi gjithashtu që Parlamenti të ketë rol më përmbajtësor në procesin eurointegrues, ndërsa opozita të informohet dhe të përfshihet institucionalisht në vendimet që kërkojnë konsensus të gjerë politik. Në përgjigjen e tij, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk ka asnjë pengesë që opozita të bëhet pjesë e ekipit që zhvillon dialogun me Bullgarinë. Megjithatë, ai kritikoi qeverisjen e mëparshme, duke pretenduar se në vitin 2022 opozita e atëhershme ishte përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes.
“Në këtë dialog që e udhëheqim me Bullgarinë, nuk kam asnjë problem që ju si opozitë e bashkuar të propozoni përfaqësues që të jenë pjesë e ekipit, i cili do ta udhëheqë atë dialog me Bullgarinë, dhe ne këtë do ta respektojmë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik i vendit dhe se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ky përcaktim. Sipas tij, problemi qëndron te marrëveshjet dhe zotimet e pranuara nga pushteti i mëparshëm, të cilat, siç vlerësoi, e kanë ndërlikuar procesin në vend që ta lehtësojnë atë. “BE-ja është qëllimi ynë strategjik dhe nuk kemi lëvizur asnjë milimetër. Ne duam që atë proces ta fillojmë dhe ta vazhdojmë, jo vetëm ta fillojmë”, tha Mickoski. Ai akuzoi LSDM-në dhe BDI-në se kanë krijuar pritshmëri joreale në opinionin publik lidhur me perspektivën evropiane të vendit. Duke kujtuar premtimet që kishin shoqëruar ndryshimin e emrit kushtetues, Mickoski tha se qytetarëve u ishte premtuar përparim i shpejtë drejt anëtarësimit, por se këto pritshmëri nuk janë realizuar.
“Për fat të keq, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e shtyu opinionin publik në një paqartësi të tillë. Unë me të vërtetë ndiej keqardhje që atëherë nuk kishte sjellje serioze nga Qeveria e atëhershme”, deklaroi kryeministri.
Një pjesë të rëndësishme të përgjigjes Mickoski ia kushtoi planit të veprimit për pakicat, duke pretenduar se harmonizimi i këtij dokumenti paraqet një tjetër kusht që duhet të përmbushet për vazhdimin e procesit negociues. Sipas tij, dokumenti është pranuar nga 26 vende anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa Bullgaria mbetet vendi i vetëm që nuk e ka pranuar. “Edhe nëse nesër vendosni që ta ndryshoni Kushtetutën, në mënyrën që keni vendosur, përsëri kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për vazhdimin e bisedimeve, për shkak se duhet të kemi plan aksional të harmonizuar për pakicat”, tha Mickoski.
Kryeministri paralajmëroi se Qeveria fillimisht do të zhvillojë dialog për harmonizimin e këtij dokumenti dhe përsëriti ftesën që në këtë proces të përfshihen edhe përfaqësuesit e opozitës. Megjithatë, në përgjigjen e tij, Mickoski nuk dha ndonjë afat konkret për zhbllokimin e negociatave dhe as nuk njoftoi për garanci të reja nga Brukseli apo Sofja, siç kishte kërkuar deputetja e BDI-së. Në kundërpërgjigjen e saj, Pasholli e cilësoi qëndrimin e kryeministrit si dëshmi të mungesës së rezultateve të Qeverisë në politikën e jashtme dhe në procesin eurointegrues.
“Është më mirë që të pranoni se në këtë proces keni dështuar. Keni dështuar të kujdeseni për kohezionin social, keni dështuar të ruani marrëdhëniet ndëretnike, keni dështuar të ruani raportet me fqinjët dhe definitivisht keni dështuar që procesin e integrimit evropian ta avanconi”, deklaroi Pasholli. Ajo shtoi se mungesa e përparimit dëshmon, sipas saj, edhe mungesën e vullnetit politik për ta çuar vendin drejt Bashkimit Evropian. Pavarësisht kritikave, Pasholli falënderoi kryeministrin për ftesën që opozita të përfshihet në dialogun me Bullgarinë, duke theksuar se integrimi evropian ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të BDI-së. (koha.mk)

