“Sokoli në burg, Artani feston me fishekzjarrë” – Xhezair Shaqiri godet ashpër
Ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri, ka reaguar ashpër pas lirimit të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga masa e arrestit shtëpiak. Në një shkrim, Shaqiri sjell kujtime nga takimet e tij me Grubin gjatë dhe pas luftës së vitit 2001, ndërsa kritikon festimet për daljen e tij në liri dhe e vë këtë zhvillim përballë fatit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që, sipas tij, vazhdojnë të qëndrojnë në burg.
Shaqiri rrëfen se është takuar me Grubin në vitin 2001, kur ky i fundit, sipas tij, shërbente si përkthyes gjatë një takimi me dy oficerë holandezë të NATO-s në fshatin Likovë.
“U lirua Artani nga arresti shtëpiak dhe nami u bë sonte në Shkup, duke festuar me fishekzjarrë. Pak si vonë e mora vesh.
Po jua tregoj disa momente nga jeta ime. Ndoshta do t’i kuptoni dhe do të merrni mësim prej tyre.
Në vitin 2001, gjatë luftës, pata një takim me dy oficerë të NATO-s në fshatin Likovë, diku në mesin e verës. Datat nuk më kujtohen.
Filloi biseda mes dy oficerëve holandezë dhe meje, si komandant i UÇK-së. Përkthimin e bënte një djalë i ri. E pyeta: ‘Nga je, djalosh?’ Ai m’u përgjigj se ishte me origjinë prindërore nga Gjakova, por kishte lindur dhe jetonte në Shkup. Më tregoi edhe emrin: ‘Artan Grubi më thërrasin’.
E pyeta nëse paguhej mirë. M’u përgjigj se merrte disa mijëra marka”, shkruan Shaqiri.
Ai rrëfen gjithashtu për një takim tjetër pas luftës, në të cilin thotë se ishte i pranishëm edhe Grubi, këtë herë gjatë një bisede me një përfaqësues britanik të NATO-s.
Sipas Shaqirit, takimi u zhvillua në një restorant pranë digës së Likovës, ndërsa Grubi shërbente sërish si përkthyes.
“Pasi u takuam për herë të dytë, gjatë drekës ku po hanim mish qengji, bisedimet vazhduan. Ndërkohë, Artani filloi të më tregonte disa sekrete. Madje, më tha se po m’i tregonte vetëm mua, kundër A.A.”, pretendon Shaqiri.
Në vijim, ish-komandanti i UÇK-së shpreh kritika për afrimin e Grubit me drejtuesit e BDI-së dhe ngritjen e tij në poste të larta politike.
“Artani iu afrua A.A.-së për interesa apo me mision dhe arriti deri në postin e zëvendëskryeministrit, duke u bërë krahu i djathtë i A.A.-së. Madje, shpesh ishte edhe përkthyes personal i kryetarit të BDI-së”, shkruan ai.
Shaqiri ngre gjithashtu pikëpyetje për qëndrimin e Grubit gjatë luftës së vitit 2001, duke e vënë në kontrast me thirrjet për UÇK-në që, sipas tij, Grubi bënte në tubimet partiake.
“Shpesh kam dashur ta pyes Artanin: nëse e donte aq shumë kauzën shqiptare, pse nuk u ndal në vitin 2001 për t’iu bashkuar UÇK-së? Atëherë brohoritjet e tij ‘UÇK, UÇK, UÇK’ nëpër tubimet partiake do të kishin pasur kuptim”, shprehet Shaqiri.
Në fund të reagimit, ai përmend komandant Sokolin, për të cilin thotë se është me origjinë nga Gjakova dhe ka kontribuar në UÇK në Kosovë dhe në Maqedoni. Shaqiri e vë në kontrast situatën e tij me atë të Grubit, duke kritikuar atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë të ish-pjesëtarëve të luftës.
“Sokoli është në burgun e Idrizovës, i arrestuar gjatë kohës së pushtetit të Artanit, dhe askush nuk mërzitet për të, pavarësisht sakrificave të mëdha.
Sokoli në burg, bashkë me shokët e tij, pavarësisht kontributit dhe sakrificave të mëdha.
Artani me marka e euro, duke kënduar këngën ‘Qerapat me vegëz, haj-haj’, e tani po na del më kontribuues. Haj medet!”, përfundon Shaqiri reagimin e tij.

