Vendimi për suspendimin e gjashtë policëve të përfshirë në rastin e dhunës ndaj dy të rinjve shqiptarë dëshmon se institucionet veprojnë kur ka shkelje të ligjit, deklaron zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Sipas Salit, çdo tejkalim i kompetencave dhe çdo përdorim i dhunës duhet të trajtohet me seriozitet, pa dallime dhe pa përjashtime.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për shkak të përkatësisë së tij, por secili duhet të përgjigjet për veprimet e veta”, thekson Sali.
Ai nënvizon se reagimi në kohë, hetimi i rasteve dhe marrja e masave konkrete janë dëshmi se shteti i së drejtës funksionon dhe se përgjegjësia duhet të vlejë për të gjithë.
“Drejtësia, barazia dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë, por parime që duhet të zbatohen në praktikë. Askush nuk është mbi ligjin!”, përfundon Sali.

