Kumanovë, 11 tetor – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e 11 Tetorit, Ditës së Kryengritjes Popullore, deklaroi se vendi duhet të synojë zhvillim më të madh ekonomik, forcim të institucioneve dhe krijimin e mundësive më të mira për brezat e ardhshëm.

“Maqedonia nuk është krijuar për të qëndruar në vend, Maqedonia është krijuar për të fituar”, theksoi Mickoski, duke bërë thirrje për ambicie më të mëdha, vendime të guximshme dhe tejkalimin e ndarjeve politike.

Duke kujtuar 85-vjetorin e kryengritjes kundër pushtuesit fashist, Mickoski tha se liria dhe shtetësia janë rezultat i sakrificës së brezave që luftuan për të ardhmen e vendit.

Ai theksoi se brezi i sotëm ka përgjegjësinë ta zhvillojë shtetin dhe t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm më të fortë dhe më të begatë.

" "

“Maqedonia është më e madhe se çdo brez politik”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se shteti duhet të ndërtohet mbi parime, besim dhe rezultate, e jo mbi interesa personale dhe marrëveshje politike.

### Mickoski flet për rritjen ekonomike dhe pagat

Në fjalimin e tij, Mickoski u ndal edhe te rezultatet ekonomike, duke përmendur rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), eksportet dhe pagat.

Sipas tij, ekonomia e vendit shënoi rritje prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa eksportet gjatë tetë muajve të parë arritën në 5,74 miliardë euro, me rritje vjetore prej 8,7 për qind.

Ai bëri të ditur se paga mesatare neto në korrik arriti në 48.499 denarë, ndërsa synimi i qeverisë është që deri në fund të mandatit paga mesatare t’i afrohet nivelit prej 1.000 eurosh.

Mickoski foli edhe për inflacionin, duke pretenduar se rritja e kostos së jetesës në Maqedoninë e Veriut është më e ulët krahasuar me Bashkimin Evropian dhe disa vende fqinje.

Megjithatë, ai pranoi se një pjesë e familjeve vazhdojnë të përballen me vështirësi në mbulimin e shpenzimeve mujore dhe se të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi.

“Për ne, suksesi ekonomik nuk do të jetë vetëm një shifër në raportet statistikore. Suksesi i vërtetë do të jetë kur rritja ekonomike të ndihet në çdo shtëpi”, tha Mickoski.

### “Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë objekt negociatash”

Kryeministri foli edhe për çështjet e hapura me Bullgarinë dhe procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por pa hequr dorë nga dinjiteti kombëtar.

Sipas tij, identiteti, gjuha dhe historia maqedonase duhet të respektohen, ndërsa marrëdhëniet me fqinjët duhet të ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë.

“Dinjiteti nuk është objekt negociatash. Ne dëshirojmë të ardhme evropiane, aleanca të forta dhe miqësi, por me kokën lart”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se vendi ka nevojë për reforma, investime, infrastrukturë, arsim modern, shëndetësi më të fuqishme dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Në pjesën e fjalimit kushtuar të rinjve, Mickoski theksoi se një nga sfidat kryesore është krijimi i kushteve që ata të qëndrojnë në vend, të krijojnë familje dhe të realizojnë ëndrrat e tyre.

“Paraardhësit tanë na e lanë lirinë. Prindërit tanë na e lanë pavarësinë. Ndërsa ne duhet t’u lëmë fëmijëve tanë një shtet të suksesshëm”, përfundoi Mickoski.

sqShqip