Njohësi i çështjeve evropiane Ismet Ramadani, në intervistën e mbrëmshme në Alsat porositi partitë shqiptare të ulen në tryezë të përbashkët për të marrë një qëndrim lidhur me zhbllokimin e procesit integrues, për çka sipas tij, do ta kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.
“Subjektet shqiptare, të sjellin një deklaratë, një vendim se duhet patjetër të ndodh ndryshimi në Kushtetutë, të futen bullgarët në preambulë dhe të ecim drejtë Bashkimit Evropian, ndoshta këtu do të ketë reagime, mirëpo reagimeve duhet të jemi të gatshëm tu japim përgjigje se më shumë se 40% në Maqedoni jetojnë jomaqedonas”.
“Nuk është ashtu si liderët, në qoftë se i ke thënë vetes lider, apo udhëheqë popullin, nuk duhet të thuash se kështu më thotë populli kur po shkoj në filan katundi apo filan bashkësie lokale ata po thonë jo emri… jo identiteti. Ti je ai që duhet t’u japësh shpjegime të drejta ta përgatitësh popullatën që të pranon një kompromis i cili më vonë do të ketë frytet e veta” – Ismet Ramadani, Njohës i Çështjeve Evropiane.
Nga ana tjetër, procesi integrues vazhdon të mbetet i bllokuar meqë Bullgaria nuk pranon në asnjë rrethanë të rinegociojë marrëveshjen e vitit 2022, ndërsa Maqedonia e Veriut kërkon garanci. Kjo u ritheksua edhe gjatë takimit të së enjtes mes shefave të diplomacisë së Bullgarisë dhe Maqedonisë së veriut. Analisti Sinisha Pekevski, në emisionin “Gjurmët” tha se takimi nuk dha kurrfarë rezultati.
“Në thelb nuk nënkupton asgjë. Ai është fjalor diplomatik në të cilin e thotë atë që edhe më herët të gjithë e dinë, nuk mund të thotë se takimi ishte i kot, se ishte i panevojshëm, por vlerëson se është mirë të realizohen këso takime në nivel më të lartë që të mos ndërpritet tërë procesi”. – Sinisha Pekevski, Analist
Ndërkohë partitë vazhdojnë të përplasen rreth kushtit për ndryshimet kushtetuese. Derisa VMRO-DPMNE e quan Venko Filipçen ambasador të interesave bullgare në Maqedoni, LSDM-ja disa herë e ka quajtur tradhtar kryeministrin Hristijan Mickoski i cili sipas tyre, duke bllokuar rrugën evropiane, po rrezikon interesat kombëtare të Maqedonisë së Veriut.

