Dallimet në rejtingun e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, si dhe të liderëve të tyre, Hristijan Mickoski dhe Venko Filipçe, janë të mëdha. Këtë e tregon anketa e fundit e MKD.mk, e realizuar nga agjencia „Market Vision“ në periudhën nga 11 deri më 27 shtator, me një mostër prej 1.200 të anketuarish.
Në pyetjen „Për cilën parti politike do të votonit në zgjedhjet e ardhshme?“, 19,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin për VMRO-DPMNE-në, ndërsa 5,6 për qind për LSDM-në. Mbështetja për BDI-në dhe VLEN-in është e barabartë, me nga 4,2 për qind, transmeton portali Lideri.mk.
Rreth 41 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të dalin për të votuar, nuk e dinë nëse do të votojnë apo nuk dëshirojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Në mesin e të anketuarve që janë përcaktuar për një parti të caktuar politike, 4 për qind do të votonin për Levicën, ndërsa 1 për qind për ZNAM-in.
Edhe te liderët politikë, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, gëzon mbështetje dukshëm më të madhe se Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Mickoski ka besimin e 20,4 për qind të të anketuarve, ndërsa Filipçe vetëm 3,8 për qind.
Plot 44,1 për qind e të anketuarve nuk kanë besim te asnjëri prej liderëve të partive politike, ndërsa 12,5 për qind nuk kanë dëshiruar të përgjigjen në këtë pyetje.
Besimi te Ali Ahmeti është 3,7 për qind, te Dimitar Apasiev 3,4 për qind, ndërsa te Izet Mexhiti 2,6 për qind.
Liderët e partisë së re politike VLEN, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, gëzojnë mbështetje më të madhe se lideri i BDI-së në opozitë.
Edhe anketa e realizuar në muajin qershor kishte treguar epërsi të theksuar të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit ndaj LSDM-së në opozitë.
Metodologjia e anketës
Anketa është realizuar përmes metodës CATI, përkatësisht intervistimit telefonik të asistuar nga kompjuteri, me një mostër prej 1.200 të anketuarish.
* Marzhi i gabimit statistikor: 3 për qind
* Intervali i besueshmërisë: 95 për qind
Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut, sipas rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, në përputhje me të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.
Burimi: MKD.mk, publikuar më 10 tetor 2026./Lideri

