Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar lidhur me çështjet e identitetit, gjuhës dhe procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se respektimi i identitetit maqedonas duhet të shoqërohet edhe me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Nga ASH thonë se shqiptarët kanë respektuar identitetin, gjuhën dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve maqedonas, ndërsa shprehin pakënaqësi për mënyrën se si përkufizohen në Kushtetutë.

“Shqiptarët janë pothuajse një e treta e popullsisë. Nuk jemi mysafirë në këtë shtet dhe nuk do të pranojmë të mbahemi peng i kalkulimeve politike të askujt!”, thuhet në reagimin e partisë.

ASH kërkon zbatimin e detyrimeve që, sipas saj, burojnë nga marrëveshjet e vitit 2022, duke kritikuar qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me procesin e integrimit evropian dhe çështjet e hapura me Bullgarinë.

" "

“Marrëveshja është marrëveshje! Detyrimet e vitit 2022 duhet të zbatohen, i pëlqen apo jo Mickoskit. Frika nga kushtet hipotetike të Bullgarisë nuk mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e së ardhmes evropiane”, theksojnë nga ASH.

Në reagim, partia vlerëson se zvarritja e procesit evropian mund të sjellë pasoja për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike. Sipas saj, largimi i të rinjve dhe shpërngulja e familjeve janë ndër pasojat që kërkojnë veprim konkret politik.

Duke iu referuar zhvillimeve politike të viteve të fundit, ASH paralajmëron se qytetarët nuk duhet të presin edhe më gjatë për përparim në procesin e integrimit evropian.

“Një dekadë na e humbi Gruevski. Shqiptarët nuk do të presin edhe një dekadë tjetër për Mickoskin”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

sqShqip