Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka kuptuar nevojën për zgjerim dhe për përfshirjen e partnerëve që kontribuojnë në sigurinë dhe politikat e përbashkëta evropiane.

Duke folur në emisionin “Politika e jashtme -Bota në dialog” për RTM 1, Sali tha se në takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë përcjell mesazhin se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe harmonizimit me politikën e jashtme të Evropës.

“BE-ja nuk është më ajo që e kuptonim më parë. Ne duhet të jemi pjesë e BE-së dhe këtë e kanë kuptuar”, deklaroi Sali, duke theksuar se integrimi i plotë i vendit është në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të vetë Evropës.

Ai theksoi se vendi është i rreshtuar me politikat e jashtme dhe të sigurisë së aleatëve, duke kujtuar edhe angazhimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

" "

“Nga Maqedonia nuk do të keni kokëdhembje. Ashtu jemi në NATO dhe në politikën e jashtme të vendit”, u shpreh Sali.

Ai vuri në pah se vendi prej rreth 25 vitesh pret të nisë negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa bilateralizimi, sipas tij, “vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore në rrugën drejt anëtarësimit”.

Sali u shpreh optimist se qasja e re në politikat e BE-së mund të sjellë lëvizje pozitive në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Jam optimist se disa punë do t’i lëvizim në drejtimin e duhur”, tha ai.
Në fund, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të trajtohet si një partner i rëndësishëm në proceset evropiane, duke nënvizuar se vendi nuk duhet të mbetet jashtë zhvillimeve që përcaktojnë të ardhmen e Bashkimit Evropian.

“Maqedonia nuk është fusnotë, nuk është dëm kolateral në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Sali.

sqShqip