Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka inspektuar punimet për ndërtimin e pishinës së re në shkollën “7 Marsi”, projekt që kap vlerën prej rreth 1 milion eurosh.
Gjatë vizitës në terren, Mexhiti bëri të ditur se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar dhe se hapja e pishinës pritet të bëhet së shpejti.
Ai theksoi se ky projekt ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe ishte përfshirë në programin e tij, ndërsa tashmë po merr formë konkrete.
“Premtimet po i realizojmë të gjitha. Një nga një! Këtë projekt e premtuam në fushatë, e vendosëm në program dhe sot po e bëjmë realitet. Rreth 1 milion euro investim për fëmijët tanë, që të mësojnë notin, të zhvillojnë talentin dhe të rriten me sport”, thekson Mexhiti.
Sipas tij, investimi synon të krijojë kushte më të mira për fëmijët dhe të rinjtë, duke u mundësuar atyre të mësojnë notin dhe të zhvillojnë aftësitë sportive në kushte më të përshtatshme.
“Besimin që na e dhatë po e kthejmë në punë, në investime dhe në premtime të realizuara. Ky është edhe një prej tyre. Vazhdojmë, sepse Çairi meriton edhe më shumë!”, u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

