Se ka vepruar jashtë praktikave të zakonshme diplomatike gjatë kohës sa ishte ambasador në Shkup, e pranoi edhe vetë Denion Meidani.
“Në Prishtinë do të sjell atë që kam mësuar në Shkup. Një diplomaci të pranishme në terren, afër qytetarëve, aktive në diplomacinë publike dhe ekonomike, që e kthen ambasadën në një pikë konkrete mbështetjeje.
Mund të ketë pasur raste kur, për shijen e disave, kam qenë jo fort ortodoks. Nuk premtoj se do ta braktis krejtësisht këtë zakon, nuk mundem edhe nëse dua, por premtoj se do ta përdor vetëm aty dhe atëherë kur i shërben rezultatit të kauzës shqiptare”, tha Denion Meidani.
Qasja e pazakontë e ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani, dhe reagimet e shumta që shkaktoi në Maqedoninë e Veriut, bënë që Tirana zyrtare të realizojë një rokadë ambasadorësh, para përfundimit të mandateve të tyre. Kështu, Meidani do të shkojë ambasador në Prishtinë, ndërsa Petrit Malaj do të zhvendoset nga Prishtina në Shkup.
“Unë do të përpiqem të kem komunikimin e duhur me të gjitha forcat politike shqiptare, sepse nuk do ta shihja si të dobishme për Shqipërinë që të ketë kahje. Pa dyshim, do të duhet të bashkëpunoj me të gjithë. Natyrisht, do të duhet të bashkëpunoj edhe me Qeverinë e Maqedonisë, por po flas për shqiptarët në rastin konkret, për të respektuar, në fund të fundit, Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”, tha Petrit Malaj.
Të dy diplomatët, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, prezantuan kandidaturat e tyre.
Malaj vuri theksin te mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe përdorimi i gjuhës shqipe. Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët përmes rrugëve institucionale, duke i cilësuar ata si faktor kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit.
Si prioritete të tjera, Malaj përmendi promovimin e Korridorit 8, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve dypalëshe, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në arsim, kulturë dhe energjetikë.
Ai u zotua për një diplomaci aktive dhe parandaluese, me kontakte të hapura me partitë politike shqiptare dhe maqedonase, si dhe për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe kërcënimeve të sigurisë.

