Ministria e Ekonomisë dhe Punës vendosë qasje të re në monitorimin e shpenzimeve të jetesës së qytetarëve, përmes llogaritjes së shportës mesatare konsumatore e cila bazohet në të dhënat zyrtare statistikore, konsumin real të realizuar të amvisërive dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve në treg.
Në konferencën e sotme për media me përfaqësuesit e mediave, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi prezantoi metodologjinë e re, duke theksuar se qëllimi është të sigurohet pasqyrë reale, objektive dhe transparente e shpenzimeve të amvisërive në Maqedoninë e Veriut.
“Qëllimi ynë është i qartë – të kemi pasqyrë reale dhe objektive se sa shpenzojnë amvisëritë. Ndryshe nga vlerësimet që bëhen sipas nevojave të dëshiruara, metodologjia jonë bazohet në të dhënat për konsumin e realizuar realisht, në përputhje me klasifikimet statistikore të pranuara ndërkombëtarisht”, theksoi ministri Durmishi.
Shporta mesatare konsumatore përfshin 11 kategori, ndër të cilat ushqime dhe pije, banim, transport, shëndetësi, arsim, veshje, komunikime dhe produkte e shërbime të tjera.
Për llogaritjen përdoren të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës, çmimet e produkteve në tetë qytete, të dhënat nga 23 tregje të frutave dhe perimeve, si dhe çmimet e produkteve ushqimore më të shitura në pesë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë dhe tre zinxhirët rajonalë tregtarë.
Sipas llogaritjeve të Ministrisë, shporta mesatare konsumatore në gusht të vitit 2026 është 58.475 denarë, që paraqet rritje prej vetëm 29 denarësh krahasuar me korrikun. Me këtë rast, shpenzimet për ushqime dhe pije në muajin gusht u ulën për 255 denarë krahasuar me muajin paraprak.
Krahasuar me janarin e këtij viti, kur shporta ishte 56.381 denarë, në gusht ajo ishte më e lartë për 2.095 denarë, respektivisht për 3,7 për qind.
Duke iu referuar dallimeve midis llogaritjes së Ministrisë dhe shportës minimale sindikale, ministri Durmishi theksoi se bëhet fjalë për dy qasje të ndryshme që nuk duhet të barazohen drejtpërdrejt.
Shporta minimale sindikale për muajin gusht është rreth 68.676 denarë, ndërsa shporta mesatare konsumatore e llogaritur nga Ministria është 58.475 denarë.
Ministri theksoi se metodologjia e sindikatës bazohet në nevojat e vlerësuara dhe përfshin shpenzimet për alkoolin, cigaret dhe qiranë, ndërsa metodologjia e Ministrisë ndjek shpenzimet mesatare reale të amvisërive.
Sa i përket banimit, Durmishi iu referua të dhënave të Regjistrimit të vitit 2021, sipas të cilave rreth 95 për qind e popullsisë jeton në shtëpitë e tyre.
Dallime ka edhe në shpenzimet për ushqime dhe pije, të cilat sipas llogaritjes së Ministrisë për muajin gusht janë 21.132 denarë, ndërsa në shportën e sindikatës janë vlerësuar në 25.032 denarë. Dallime vërehen edhe në veshje dhe mbathje, arsim, banim dhe komunikim.
“Ne i respektojmë sindikatat dhe rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Por duhet ta themi qartë se bëhet fjalë për dy metodologji të ndryshme. Nuk duam të hyjmë në një garë se kush ka shportë më të lartë apo më të ulët. Qëllimi ynë nuk është të minimizojmë shpenzimet e qytetarëve, por të sigurojmë një pasqyrë objektive dhe transparente të konsumit”, porositi Durmishi.
Ai shtoi se llogaritjet e ndryshme mund të jenë të dobishme për publikun, nëse shpjegohet qartë se çfarë tregon secila prej tyre dhe në cilat të dhëna bazohet.
“Kjo nuk do të thotë se i kontestojmë nevojat e qytetarëve. Përkundrazi, ne besojmë se publiku duhet të ketë më shumë të dhëna relevante, por edhe të dijë se çfarë saktësisht tregon çdo llogaritje”, theksoi ministri.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të monitorojë me kujdes lëvizjet e çmimeve, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore, si dhe të punojë në masa që synojnë mbrojtjen e standardit të jetesës dhe forcimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Për ne është e rëndësishme që politikat ekonomike të bazohen në fakte dhe jo në supozime. Vetëm me të dhëna të sakta dhe transparente mund të krijojmë politika që u përgjigjen kushteve reale ekonomike dhe nevojave të qytetarëve”, theksoi ministri Durmishi.

sqShqip