REISUL ULEMA MERR PJESË NË PROMOVIMIN E HAFIZES GERTA RAMADANI
Shkup, 8 tetor 2026 – Në Xhaminë e Re në Çair u mbajt ceremonia e promovimit të hafizes Gerta Ramadani, e cila hifzin e përfundoi te muhafizi h. Miftar ef. Islami. Ceremonia u udhëhoq nga Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, kryetari i Kuvendit të BFI-së h. Zeqirja ef. Tairi, si dhe drejtorët e Rijasetit Mr. Fejzullah Sadiki dhe Mafiz Rustemi. Në ceremoni morën pjesë edhe hoxhallarë, hafizë, mysafirë dhe xhemat i shumtë.
Të pranishmëve u uroi mirëseardhje hatibi i xhamisë, h. Sadush ef. Tairi.
Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, në fjalën e tij e përgëzoi hafizen për arritjen dhe e vlerësoi lart sakrificën e muhafizit, duke iu lutur Allahut të Madhëruar që ta ruajë hafizen me shëndet dhe t’ia shpërblejë këtë vepër me të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e përgëzoi hafizen Gerta Ramadani dhe familjen e saj për këtë arritje të bekuar. Ai theksoi se hafizi është rojtar i Fjalës së Zotit, ashtu siç brez pas brezi, që nga koha e Pejgamberit a.s., Kur’ani është ruajtur në zemrat e njerëzve para se të ruhej në libra. Sipas tij, ky është një nder i madh, por edhe një amanet që kërkon përsëritje të vazhdueshme dhe një jetë në përputhje me mesazhin kur’anor, sepse hafizi e ruan Kur’anin jo vetëm në mendje, por edhe në sjellje.
Reisul Ulema vlerësoi rolin e prindërve dhe të muhafizit gjatë procesit të hifzit, duke theksuar se mbështetja e familjes dhe durimi e përkushtimi i muhafizit janë shtylla pa të cilat kjo rrugë e gjatë nuk do të kishte përfunduar me sukses.
Duanë e hifzit e bëri Mafiz ef. Rustemi, Drejtor i Diasporës pranë Rijasetit të BFI-së. Në përmbyllje të ceremonisë, hafizes iu nda Certifikata e Hifzit, si dhe dhurata dhe mirënjohje nga Rijaseti i BFI-së dhe Myftinia e Shkupit, për hafizen dhe muhafizin e saj.
Lusim Allahun e Madhërishëm që hafizes t’i dhurojë shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në të ardhmen, ta bëjë Kur’anin dritë në zemrën e saj dhe udhërrëfyes në jetën e saj.

