Në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare për Korridorin VIII, e cila u mbajt sot në Sofje, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, përcjell Zhurnal.mk.
Mucunski e vlerësoi takimin si konstruktiv dhe të zhvilluar në frymë pozitive, por theksoi se qëndrimet e të dyja palëve vazhdojnë të mbeten dukshëm të largëta.
Duke folur për integrimin evropian, Mucunski tha se ndërmjet dy vendeve ekziston një nivel i lartë mosbesimi, i cili, sipas tij, nga perspektiva e Maqedonisë së Veriut lidhet me parashikueshmërinë e procesit dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe.
“Qëndrimet tona janë absolutisht të qarta. Është interes strategjik edhe i Bullgarisë që ne të ecim përpara në rrugën evropiane. Por ne jemi një vend që ndër vite vazhdimisht është përballur me kërkesa dypalëshe. Kur është mbyllur një çështje dypalëshe, më pas është hapur një tjetër”, theksoi Mucunski.
Në takim është diskutuar edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve në periudhën e ardhshme. Të dyja palët kanë konfirmuar gatishmërinë që komunikimi të vazhdojë, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë në qëndrimet e tyre.
Mucunski theksoi se çështjet që lidhen me identitetin, historinë dhe kulturën nuk duhet të paraqesin pengesë në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Ai nënvizoi se pa dialog nuk mund të arrihet zgjidhje, por shtoi se vetë dialogu nuk përbën garanci për tejkalimin e dallimeve ndërmjet dy vendeve.

